Mobile menu

SHQIPJA NE FAMILJEN E GJUHEVE
Thread poster: Translation Link

Translation Link
United States
Local time: 04:32
English to Indonesian
+ ...
Mar 31, 2008

Nga Ledi Shamku-Shkreli
http://www.shekulli.com.al/news/53/ARTICLE/23034/2008-03-31.html

SHQIPJA NE FAMILJEN E GJUHEVE
Hidhet në qarkullim "Hyrje në Indoeuropianistikë", një vepër-traktat,
zanafillë e një doktrine të re. Dhe për Çabejn vlen të thuhet: "Ai po
gatitet të ketë një jetë të dytë, e cila do të gërshetohet
pashmangësisht me tonën".
Hidhet në qarkullim "Hyrje në Indoeuropianistikë", një vepër-traktat, zanafillë e një doktrine të re. Dhe për
Çabejn vlen të thuhet: "Ai po gatitet të ketë një jetë të dytë, e cila do të gërshetohet pashmangësisht me tonën".
"Hyrje në Indoeuropianistikë" ndoshta është libri më i mirë teoriko-analitik i gjuhësisë shqiptare deri me sot.
Përmes tij Çabej është i pari ndër gjuhëtarët shqiptarë që e harton dhe e ofron të plotë mendimin mbi shkencën
e Indoeuropianistikës. Duke e krahasuar këtë tekst me modelet e botuara në Europë në gjysmën e parë të shek.
XX, vihet re se ky shkencëtar luminar, i qartë se metodikat gjuhësore sui generis po e nxirrnin shqipen jashtë
interesit shkencor ndërkombëtar, i përmbahet qëllimisht strukturës së atyre modeleve të cilat kishin filluar të
konsideroheshin të papërshtatshme nga "shkenca e re" shqiptare. Madje, vështruar në rrafsh të filozofisë mbi
gjuhën - si produkt historiko-kulturor e social njëherësh - kjo mendësie tij paraqet dhe meritën më të madhe të
opusit shkencor të Çabejt në përgjithësi. Pa këtë fushëpamje të gjerë të hartuesit, vepra në fjalë nuk do mund të
kapërcente sinorët provincialë të një filologjie thjesht shqiptare, e cila, siç ndodhi më vonë, përsiati kryesisht
mbi vetveten dhe me vetveten. Nuk do harruar se në kohën kur Çabej formësoi qartë teoritë albanistike, dhe i
përshfaqi ato për studentë e studiues, ishin ende gjallë e aktivë indoeuropianistë të mëdhenj si Rohlfs,
Kretschmer, Devoto, Tagliavini, Coseriu, Desnickaja, Pisani etj, me të cilët Çabej vijonte ta ruante
komunikimin. Kësisoj, thuajse krejt i izoluar ne Atdhe, ai mori përsipër mbajtjen me çdo kusht të gjuhësisë
shqiptare në hullinë e arritjeve metodike europiane. Dhe do të jetë metoda bashkëkohore e kërkimit, e
gërshetuar me gjenialitetin e tij proverbial, që do formulojë kumtin filozofik të kësaj vepre: se nuk mund të
studiohet historia e një gjuhe në një kontekst vijimisht të izoluar, por vetëm Historia gjuhësore e një bashkësie
integrale folësish e shkruesish.
Thuajse tërë shek. e XIXe deri në në gjysmën e shek. XX, indoeuropianistët ngulmuan të skiconin dhe
riskiconin dinamikën e jetës së gjuhëve që kishin rrojtur në të njëjtin territor, e që kishin parë sesi rriteshin
disa simotra e si rrëgjoheshin do të tjera në rrjedhë të kohëve (nganjëherë tok me etnitë a popujt që i flisnin).
Për këtë ata iu kthyen fjalëve, vjeljes dhe analizës së tyre se, sikundër thotë Saussure në shek. XX, nuhatën se
"lidhjet që ekzistojnë mes gjuhëve të përafërta, fare mirë mund të përbëjnë objektin e një shkence më vete. Të
qartësoje një gjuhë me ndihmë të një gjuhe tjetër, të shpjegoje format e njërës nëpërmjet formave të tjetrës, ja
pra ç'nuk qe bërë ende".
Kështu fjalët, këto unitete ende më të qëndrueshme se gurët, u shndërruan në përçuese të mesazheve të largëta,
që vinin edhe nga qytetërime e popuj për të cilët deri pak kohë më parë nuk dihej kurrgjë. Duke e plotësuar
atlasin e verbër fillestar me të dhëna e përfundime të pranueshme që vinin nga një sërë gjuhësh,
Indoeuropianistika, nga teori hipotetike mundi te shndërrohej në shkencë të mirfilltë: nisur me skemën e
thjeshtë Stammbaumen të Schleicherit, ajo kish mbritur deri te opusi madhor "L'Europe linguistique", që u
botua nga A. Dauzat në vitin 1953. Më pas punimet vijuan mbi truall te qëndrueshëm dhe harta plotësohej e
përsosej dora-dorës. Sikundër thotë edhe Çabej në këto leksione, shkolla e Saussurit hapi rrugë të reja në
gjuhësi të përgjithshme po sidomos në Indoeuropianistikë.
Duke u kthyer te Çabej, mund te themi se mënyra e tij e studimit të shqipes, si trashëgimi historike e njëherësh
si mjet realitetformues, i garantoi për sa mundej gjuhësisë sonë që rezultatet e saj në këtë fushë të merreshin në
konsideratë nga gjuhësia ndërkombëtare – gjithë në përpjekjet e saj për të skicuar e përsosur mbi bazë
të dhënash serioze hartën e përgjithshme të familjes së gjuhëve. Tash po bëhen gati tri dekada që Çabej ka
reshtur së trokituri në "veshin e rënduar" të gjuhësisë shqiptare e pas tij, duket se kurrkush nuk ka mundur te
dialogojë "alla pari" - nëpërmjet prurjesh e përfundimesh të përditësuara në lëmë të shqipes – me
zhvillimet dinamike të gjuhësisë botërore. Vakuumi që u krijua nga humbja e Çabejt u ndje menjëherë; pas
Page 1
SHQIPJA NE FAMILJEN E GJUHEVE
viteve Shtatëdhjetë shqipja nuk e kish më misionarin që përçonte kohë pas kohe imazhin e saj të përditësuar
duke i siguruar asaj një vend të qenësishëm në laboratoret e përbashkëta ku studiohen marrëdhëniet dhe
integrimet e gjuhëve e të kulturave. E meqë po flitet për njërin nga kontributet e tij të mëdha, atë si
indoeuropianist, le të vërehet një e dhënë sa e trishtë, aq domethënëse: Pas 1985-ës, pra vetëm pak vjet pas
largimit të Çabejt, indoeuropianisti i mirënjohur James P. Mallory, modernizoi Stammbaumen-in, skemën
njëqindvjeçare të Schleicherit. Ky, në punimin e tij, ku shqipja (albanian) zë një vend të qartë, shpjegon se ka
mundur t'i përcaktojë më mirë venndodhjet simbolike të gjuhëve në këtë skemë, falë të dhënave studimore
historiko-krahasuese që ka vjelë për secilën syresh nga studimet e fundit e më të përditësuara. Por pas nje
dekade, në 1997 Mallory, e riformulon skemën e tij të 1985-ës dhe thotë se "kjo skemë sërish në trajtë peme,
paraqitet më e plotë, më e përditësuar si dhe është fryt i një pjekurie më të lartë hulumtimesh, pasi për hartimin
teorik të saj janë pasur parasysh edhe studimet mbi variacionet e brendshme diasistemike për secilën gjuhë".
E në këtë pemë të përditësuar gjuha shqipe mungon. Merret me mend se nuk është fjala për një lajthitje apo
ndonjë pandehmë të gabuar të këtij shkencëtari, pasi Mallory vijon të mbetet sot një nga indoeuropianistët më
me autoritet. Madje ai, sikundër edhe Çabej vetë, i takon atij brezi indoeuropianistësh, të cilët strukturalizmi
saussurian në gjuhësi i shtyu të marrin në konsideratë qoftë "studimin e një stadi gjuhësor në vetvete dhe për
vetveten", qoftë edhe ndjekjen e rrjedhës evolutive stad pas stadi, duke krahasuar të dhënat strukturore që
ofronte çdo prerje sinkronike.
Eshtë e qartë mungesa e shqipes në hartën e përditësuar të Enciklopedisë së Kulturës Indoeuropiane; gjuhësia
shqiptare, edhe në vitet Nëntëdhjetë vijonte vozitjen në ujrat e amullta të metodave të saj sui generis. Dhe
s'kish si të ndodhte ndryshe; Saussure thotë se "objekti e përcakton metodën". Objekti studimor i gjuhësisë
shqiptare nuk ish më as "shqipja në familjen e gjuhëve", sikundër u mundua ta shqyrtonte Çabej e as shqipja e
përbashkët si repertor i përdorimeve të diktuara nga bashkësia jonë social-kulturore. Periskopi i mveshur i
kësaj nëndetësje që nuk lëvizte më, kish mbetur i drejtuar vetëm andej nga hamendej të ishte varieteti standard
i shqipes. Për pasojë përfundimet e izoluara, e njëdrejtimëshe, të studimeve tona gjuhësore e humbën
koherencën krahasuar me zhvillimet bashkëkohore, humbën atë koherencë që kish karakterizuar punën e një
shkencëtari mendjehapur, objektiv e largpamës si Çabej. Mjafton të përmendet fakti se rezultatet shkencore të
tij gjenden të cituara si vlera referuese ndër shumë vepra të rëndësishme të gjuhësisë së krahasuar si te
"Origini delle lingue neolatine" të C. Tagliavinit, apo në punimet e G. Svanes, G. Devotos, G. Rohlfsit, të M.
Bartolit etj.
Kjo humbje nga sa duket është edhe arsyeja qenësore e mungesës së shqipes, jo vetëm në këtë hartë po edhe,
në krejt pjesën më të madhe të networkut gjuhësor ndërkombëtar.
Po le të kthehemi te punimi ynë që, me sot, resht së qeni vlerë arkivore e u jepet studiuesve i saktë në plotninë
e tij. Ky libër do të jetë një literaturë e vlerë për gjithë studentët e shqipes, të cilëve do t'u hapë një dritësore të
pamjegulluar mbi evolucionin e gjuhës sonë dhe gjendjet e saj historike e prehistorike. Po do t'u duhet gjithaq
edhe antropologëve kulturorë për të deduktuar s'andejmi atë çka thamë qysh në krye të herës, pra jo thjesht
historikun e shqipes, por historikun e etnisë së përdoruesve të saj. Dhe ky historik, falë sintezave krahasimtare
të Çabejt, do të jetë lehtësisht i konfrontueshëm me atë të etnive që kanë dhënë e kanë marrë me tonën. Për
gjuhësinë shqiptare ky libër, i lexuar drejt, mundet me pasë po atë efekt vendimtar që pati Cours de
linguistique générale i Saussurit për gjuhësinë europiane të shek. XX. Kjo pasi analizat retrospektive të këtij
punimi dhe përfundimet e natyrshme që Çabej nxjerr nga këto analiza, i japin gjithkujt që don të ndëlgojë,
çelësat e duhur shkencorë për të kuptuar, përshkruar dhe emërtuar drejt mjaft nga dukuritë dhe prirjet që
vërehen sot në repertor të shqipes. Tekembrama, kjo don të thotë me ndjekë evolucionin e shqipes dhe me ulë
efektet e revolucionit që u pat ndërmarrë ndaj saj. Për këto arsye pra, për këto dhanti që ka ky libër, besojmë
se energjinë më të madhe do ta çlirojë për mëkambjen e Gjuhësisë Moderne Shqiptare që po lind. Gjithë sipas
kësaj logjike, duke arsyetur sipas shtegut të saj prognostik mbi disa postulate të këtij punimi, vërehet se një
nga faktet sintaksore, që po rezulton mjaft i shpeshtë nga vëzhgimet e prirjeve vetëstrukturuese të Shqipes së
Sotme, është fakti që përdoruesit kanë nisur të parapëlqejnë ndjeshëm ndërtimet me bashkërenditje. Kjo
dukuri po vërehet sot jo vetëm te gjuha e folur dhe varietetet substandarde, por edhe te i ashtuquajturi
Neostandard i shkruar i shqipes. A ka një kuptim kjo simptomë? Siç thekson Çabej, e parë në vetvete dhe për
Page 2
SHQIPJA NE FAMILJEN E GJUHEVE
vetveten, një dukuri thjesht përshkruhet por nuk spjegohet. Për t'u spjeguar, ajo duhet parë edhe në diakroninë
e saj. Duke kthyer sytë nga Hyrje në Indoeuropianistikë vërejmë se Çabej, teksa analizon sintaksën historike të
gjuhëve indoeuropiane dhe ofron paralelizma me shqipen, thotë se "lidhur me bashkërenditjen edhe me
nënrenditjen duhet të themi se në periodat e para mbizotëronte bashkërenditja, koordinimi, kur kemi të bëjmë
me disa fjali. Fjalitë e koordinuara, të bashkërenditura, kanë mbizotëruar mbi fjalitë e subordinuara, të
nënrenditura. Nënrenditja e fjalisë paravendon, presupozon një zhvillim mendor mjaft të përparuar. Që të
lidhen fjalitë, domethënë një kryesore, të tjerat të varura prej asaj, kjo supozon një zhvillim mendor që ka
shkuar përpara. Mentaliteti primitiv do bashkërenditje, atë që W. Haversi e quan "mënyra numëruese,
enumerative". Kjo analizë hedh menjëherë dritë mbi simptomën e mësipërme. Është gjuha e folur ajo që në
thelb e më së shumti nuk shtrëngohet të vendosë një rend të avancuar sintaksor, kjo për shkak edhe të
aty-për-atyshmërisë së replikës. Pra ajo e ruan mentalietin primitiv, që parapëlqen bashkërenditje, qoftë për
konservatorizëm ndaj rendit historik (njerëzimi më parë ka folur se ka shkruar), qoftë për shkak të
spontaneitetit që e karakterizon. Kështu mbërrihet në përfundimit se tiparet e reja sintaksore që po shfaqen në
Neostandardin e shkruar i përkasinmë së shumti kodit të folur, a më saktë, përdorimi po i importon ato prej
këtij kodi. Po asistojmë pikërisht në procesin e pritshëm te ndikimit të anasjelltë: shkrimi, si kod më
konvergjent, edukon paraprakisht gjuhën e folur, duke synuar të krijojë edhe aty një kod po aq konvergjent
– shembëlltyrë të tijin. Porse shkrimi prej natyre mbetet i ngurtë e sakaq kodi i folur, i cili ka nisur ta
marrë prestigjin e konvergjencës, ecën përpara duke u vetëstrukturuar. Kësisoj përdoruesit e të dyja kodeve,
ku me vetëdije e ku në mënyrë mekanike, mundohen ta mbartin këtë pasurim edhe në kodin e shkruar, duke
formuar kësisoj një Neostandard faktik brenda Standardit teorik.
Një tjetër pikë e debatuar sot është çështja e paskajores (infinitivit), dhe lidhur me këtë debati nuk po merr
asesi zgjidhje, pasi argumentat pro dhe kundër vijojnë të jenë më fort qëndrime etike se shkencore. Kështu pra,
thuhet se infinitivi duhet rehabilituar në normë pasi është pjesë rëndësishme e trashëgimisë gjuhësore gege,
apo, nga ana tjeter se gjuha letrare s'ka si ta ketë infinitivin ngaqë toskërishtja nuk e ka. Duke lexuar trajtesën
historike që Çabej i bën kategorisë së infinitivit vihet re se të dyja gjykimeve të mësipërme, pro e kundra, iu
mungon vështrimi filozofik dhe ab ovo që jepet te ky libër; Çabej thotë se: "formimi i infinitivit të gjuhëve
indoeuropiane në pjesën më të madhe është një dukuri që shfaqet në periodat historike të tyre. Kjo lidhet edhe
me arsye si të thuash kulturore. Infinitivi gjuhësisht është një përftim që lidhet me një farë përparimi kulturor,
sepse ka lidhje me një mendim abstrakt [...] Lidhet me zhvillim të një mendimi, të një abstrakcioni mendor.
Domethënë çështja e infinitivit kushtëzohet nga një zhvillim, nga një proces i gjatë në gjuhët e ndryshme
indoeuropiane". Kumti logjik i këtij arsyetimi është se infinitivi nuk është thjesht i gegnishtes; ai është
infinitivi i shqipes, pasi ai shfaqet qysh se shqipja del në histori, lind si rezultat i një progresi kulturor dhe
shoqëron gjithë këtë progres. Dhe pas gjasash, këtë progres infinitivi i shqipes e ka shoqëruar për shekuj me
radhë, deri kur u ndrrua baza historike e shqipes. Të kuptuarit e vlerës së këtij konservacioni, të kuptuarit e
natyrës dhe substancës së tij, i jep vetiu përgjigje pohuese rehabilitimit të infinitivit tonë të çmuar. Diskutimet
e tjera që rrjedhin nga ky rehabilitim janë thjesht detaje teknike (plotësisht të zgjidhshme), por nuk janë thelbi
i problemit. Thelbin na e paraqet analiza e mësipërme e Çabejt.
Po ashtu, problematikat gjuhësore sot e do kohë rrahin shqetësimin për keqpërdorime të morisë të rregullave
heterogjene drejtshkrimore, e ngulmojnë edhe ku ato rregulla, vihet re se mund të thjeshtohen (de facto janë
thjeshtuar). Në parim dihet se thjeshtimi në fjalë i ndihmon nxënies më të mirë e më të shpejtë të vetë
drejtshkrimit, uljes së kostos së investimit për përvetësimin e tij e kështu me radhë. Por a është vërtet humbje
ky thjeshtim? A i ndodh kjo veç shqipes? Lidhur me këtë Çabej shkruan se"zhvillimi i gjuhëve, në lidhje edhe
me zhvillimin kulturor të popujve që i flasin ose që i kanë folë, karakterizohet nga një proces dyfish: në një
anë thjeshtim i sistemit gramatikor, thjeshtim progresiv, domethënë sa vete më i madh i sistemit gramatikor,
më anë tjetër pasurim edhe diferencim i elementeve të leksikut. Sa më shumë evoluojnë gjuhët, vihet re se aq
më shumë thjeshtohet sistemi gramatikor edhe aq më shumë pasurohen elementet leksikore. Ky është njëfarë
aksiomi në jetën e gjuhëve. Pasuria gramatikore nuk është shenjë kulture. Pasuria gramatikore, pasuria e
formave të gramatikës është shenjë e gjendjeve primitive të gjuhëve. Gjuhët rrafshojnë diferencimet,
rrafshojnë morinë e variacioneve të formave gramatikore e më anë tjetër kompensojnë me pasuri të leksikut.
Page 3
SHQIPJA NE FAMILJEN E GJUHEVE
Faktori i rrafshimit të diferencimeve, të variacioneve, të formave gramatikore është analogjia. Me anë të
analogjisë bëhen rrafshime gramatikore".
Ky arsyetim, që bashkohet me moton e gjithë gjuhësisë moderne të shek. XX, na qartëson sot në mjaft dilema
që bëjnë ballë si të vështira për t'u zgjidhur, sa herë që është fjala për qëndrime normative. E kështu kuptojmë
se mjaft shmangie të sotme nga norma, të cilat hermeneutizmi statik i konsideron si shprishje të kodeve
ortografike, janë në fakt frut i rregullsisë; i asaj rregullsie që dikton lavrimi gjithnjë në rritje i shqipes si gjuhë
e cila tani nuk shkruhet më nga një përqindje fare e vogël e popullatës, por nga e gjithë bashkësia shqipfolëse.
Kjo rregullsi, siç na dëfton Çabej saussurianist, diktohet nga Analogjia. Përmes proceseve analogjike
rrafshohen e unifikohen, pra "bjerren" mjaft formante të shqipes, të planifikuara në tryeza gjuhëtarësh dekada
më parë. Poashtu Çabej, duke pasqyruar përmasën historike të veprimit të analogjisë - jo vetëm në Periodën
historike të shqipes, por edhe në prehistori të saj - na le të kuptojmë se analogjia është faktori më i vjetër
veprues në një gjuhë dhe shoqëron gjithë procesin e qytetërimit të bashkësisë që e flet atë gjuhë. Shumë
shembuj të veprimit të analogjisë Çabej i merr nga gjuha e folur, duke na shtyrë kësisoj të dallojmë në
metodën e tij një tjetër postulat saussurian, atë të thyerjes së "ésprit de clocher". Kështu, pra, ndodh ajo që në
parim pat vërejtur edhe J. J. Rousseau, se "gjuhët me kalimin e kohëve humbasin në muzikalitet, por fitojnë në
saktësi". Saktësia në gjuhë (apo thënë më drejt, kuptimet semantikisht të pastra të shenjuesve) dhe lufta ndaj
varfërimit të gjuhës (varfërim i cili vjen edhe për shkak të polisemisë pragmatiste) janë çështje vërtet
shqetësuese për shqipen. Po t'i hedhim sytë nga politikat gjuhësore europiane, vërejmë përkujdesje të
vazhdueshme për të shmangur proliferimin polisemik, duke synuar t'i jepet çdo të shenjuari shenjuesi i vet;
përkujdesje të tilla janë kthyer këto tri dekadat e fundit në objektiva qendrore të leksikografisë e të edukimit
gjuhësor.
Me rastin e 100-vjetorit te lindjes se Eqrem Çabejt, është me vend të thuhet se ç'përfaqëson ai në mendimin
tonë filozofiko-gjuhësor. Ja lemë Justin Rrotës, njërit ndër kontribuesve të shquar në procesin e selitjes së
gjuhës letrare shqipe, i cili në punimin e vet "Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore" kishte këtë kushtesë:
"Prof. Eqrem Çabejt, Albanistit ma të madhit kombëtar, këto hulumtime nxanësësh. Gjithë motin e jetës
mirënjohtës për kontriburin e vlefshëm dhe bujarisht të huajtun në favor të këtyne fletëve". E kjo kushtesë
mungon në botimin që Akademia e Shkencave përgatiti për Kolanën Françeskane. Por natyrisht kjo mungesë
nuk cënon aspak vetëdijen e kujt gjuhën shqipe e studion jo vetëm si trashëgim lëndor të qenies shqiptare, por
edhe si rezultat të atij mendimi shkencor luminar që e tuteloi këtë gjuhë me gjithë përkujdesjen që meriton
gjuha amtare; e sot figura e Çabejt përshfaqet pikërisht siç e përcaktoi J. Rrota: më i madhi albanist kombëtar.
Madje më i madhi i dijes sonë. Me botimin dhe divulgimin e kësaj vepre-traktat, që nuk është një doktrinë e
përfunduar, por zanafillë e një doktrine të re, për Çabejn vlen të thuhet sot pikë-për-pikë ajo çka tha
Benveniste në pesëdhjetëvjetorin e botimit të Kursit të F. de Saussure: "Ai po gatitet të ketë një jetë të dytë, e
cila do të gërshetohet pashmangësisht me tonën".
Page 4


Direct link Reply with quote
 

Gentiana Kasemi  Identity Verified
Albania
Local time: 09:32
Member (2007)
Albanian to Italian
+ ...
Libër i mrekullueshëm! May 27, 2008

Falemnderit Keti për njoftimin mbi publikimin e këtij libri të Prof. Eqerem Çabejit (2008) "Hyrje në Indoeuropianistikë; leksionet e Prishtinës".

E lexova me endje posa e gjeta dhe do t'jua këshilloja të gjithëve.

Njohuritë që paraqiten në libër, përveçse të lidhura me gjuhësinë teorike në përgjithësi, kanë padyshim vlera të drejtpërdrejta edhe për praktikën e të përkthyerit. Në lidhje më këtë do të përmendja pikërisht dy faqet e fundit (krs. f. 255 -256) të kapitullit të fundit "Zhvillimi i mëtejmë i gjuhëvet indoeuropiane": në këto faqe, autori, duke trajtuar çështjen e leksikut, flet për të ashtuquajturat "kalke" duke i konsideruar "një dukuri të rëndësishme në historinë e gjuhëvet indoeuropiane".
Kalket pra, fenomeni ku gjuhët indoeuropiane kanë ndikuar dhe ndikohen, nëpërmjet përkthimeve, më tepër i përkasin leksikut, por mund të jenë edhe të fushës gramatikore (p.sh. kalk gramatikor: kam shkruar).

Autori përvijon historinë e kalkeve qysh nga antikiteti:
"... Për shembëll Ciceroni krijoi termin conscientia 'ndërgjegje', që fjalë për fjalë është 'bashkëdije'. Ky është një përkthim që ka bërë ai nga greqishtja, nga synéidesis (....), term i filozofisë greke, 'bashkëdije'..." (f. 255).

E më pas:
"Kjo vijë është ndjekur edhe nga gjuhët popullore, edhe nga gjuhët savante. Për shembëll, shqip e diel, e hënë, që janë terma popullorë në një kohë shumë të parë të krishtërimit, janë përkthime nga latinishtja. E diel është refleksi i lat. dies solis edhe gjermanët i thonë Sonntag. E hënë është dies lunae edhe gjermanisht Montag. Ndërsa gjuhët romane nuk thonë 'ditë e diellit', po thonë (dies) dominica 'dita e Zotit', gjermanishtja dhe shqipja e kryen përkthimin pas dies solis." (f. 255-6)

I mësipërmi është një ndër shembujt që prof. Çabej sjell për të mbështetur idenë që kalket kanë ndodhur edhe me rrugë popullore midis kësi gjuhësh (përfshirë shqipen). Megjithatë, sipas tij, shumica e kalkeve në gjuhët europiane "... janë me rrugë savante, i kanë bërë dijetarët ...". Shembujt, që ai sjell, janë ai i Bogdanit : (vetëmi", jo në kuptimin e sotmë, "solitudo", por për "njësi"), apo i Frang Bardhit, i cili sipas latinishtes ombrella ka pasë formuar fjalën hieza: ku i fundit sipas Çabejt është një kalk i mirë, por fatkeqësisht nuk ka hyrë në përdorim, ndërkohë që fjala përndjek për "persekutoj" e futur nga Bogdani, ka patur më tepër sukses.

Së fundmi, autori shkruan:
"Tek autorët e shekullit të kaluar ka vazhduar kjo punë dhe vazhdon edhe sot. E kjo jo vetëm në shqipen, po në të gjitha gjuhët e Europës, duke kryer përkthime nga gjuhët e mëdha. Kjo mënyrë është e rekomandueshme, sepse modeli është i huaj, po brumi i vendit. (....) Pra kjo mënyrë është mjaft pozitive." (f. 256)

Siç e shihni, ky libër është i dobishëm jo vetëm për afirmimin e statusit të gjuhës sonë edhe të kërkimeve përkatëse, por edhe për punën tonë si përkthyes.
I citova me kënaqësi fjalët e prof. Çabejit, për t'ju dhënë një ide mbi natyrën dhe stilin e librit, e si pasojë për t'ju nxitur që ta kërkoni e ta lexoni.
Përmbledhja e përsosur e Ledi - Shamku Shkrelit në fillim të librit, sikurse e ka sjellë Keti, jep një panoramë të gjerë të risisë së veprës, por, më besoni leximi i drejtpërdrejtë është një tjetër gjë.

Gentiana



[Modificato alle 2008-05-27 22:55]

[Modificato alle 2008-05-27 22:56]


Direct link Reply with quote
 


There is no moderator assigned specifically to this forum.
To report site rules violations or get help, please contact site staff »


SHQIPJA NE FAMILJEN E GJUHEVE

Advanced search






SDL MultiTerm 2017
Guarantee a unified, consistent and high-quality translation with terminology software by the industry leaders.

SDL MultiTerm 2017 allows translators to create one central location to store and manage multilingual terminology, and with SDL MultiTerm Extract 2017 you can automatically create term lists from your existing documentation to save time.

More info »
Wordfast Pro
Translation Memory Software for Any Platform

Exclusive discount for ProZ.com users! Save over 13% when purchasing Wordfast Pro through ProZ.com. Wordfast is the world's #1 provider of platform-independent Translation Memory software. Consistently ranked the most user-friendly and highest value

More info »



All of ProZ.com
  • All of ProZ.com
  • Term search
  • Jobs