Mobile menu

Off topic: Një prolog si edhe një epilog për Nënën e Madhe Shqiptare, Gonxhe Bojaxhiun!
Thread poster: Monika Coulson

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 11:57
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
Aug 9, 2003

Një prolog si edhe një epilog për Nënën e Madhe Shqiptare, Gonxhe Bojaxhiun!

Shkruar nga: Mërgim Korça

Kudo që të shkosh nëpër botë, e ngado që të kthesh sytë, nëpër shtete e kombe të vegjël a të mëdhenj qofshin, nga secili komb do të dëgjosh të flitet me krenari për bashkë-kombësit e tyre “ të lavdishëm “. E kjo ndjenjë krenarie të ligjëshme, e trashëguar brez pas brezi, flet shpesh për “ heronj ” gjurmët e të cilëve humbasin larg në mjegullën e shekujve. E megjithatë njerëzit mburren me ta edhe sot, me që ndoshta nuk kanë heronj më të rinj me të cilët të mburren.
Me ne shqiptarët, për fat të mirë, ngjet disi ndryshe sepse kemi ç’të themi edhe për të tashmen. I dhamë lashtësisë dijetarë e gjithashtu heronj, s’munguan statistët as edhe artistët. Por ajo që na shquan si për të mirë e fatkeqësisht edhe për të keq, është personaliteti nga më të mëdhenjtë e shekullit XX-të, Nënë Tereza. Se përse na shquan për të mirë, do ta trajtoj në vazhdim duke u munduar të mos bije në përsëritje të mërzitëshme për lexuesin. Për keq na shquan se sa kohë ishte gjallë, gjatë periudhës regjimit komunist, atdheu i Saj u mundua t’ia fshehë prejardhjen . Edhe kur më në fund u lejua të vinte për herë të parë në Shqipëri më 1989, të thoshte një lutje dhe të derdhte dy pika loti mbi varret e nënës dhe motrës së Saj, në varrezat e Tiranës, u mbajt në “karantinë “ si fetare e përkushtuar që ishte e që s’kishte asgjë të përbashkët me atdheun e Saj ateist !
Ti referohemi tani faktit se përse ne shqiptarëve na shquan për mirë të qënët bashkëkombës me Nënë Terezën.
Agnes Gonxhe Bojaxhiu, alias Nënë Tereza, pati një mision shumë të vështirë gjatë jetës Saj. Madje, po të hedhim një shikim mbrapavështrues, na duket akoma më e pabesueshme se si Ajo ia doli në krye me sukses detyrës së Saj.
E solli Zoti mbi tokë si një “ gonxhe “ të brishtë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të fundit të mijëvjeçarit të dytë. Në hapat e para të jetës Saj sytë i panë zjarr, shkatërrime dhe vrasje masive. Veshët i dëgjuan kudo rënkime. U ndërgjegjësua atëbotë dhe e kuptoi se kishte një mision madhor të cilit i duhej përkushtuar me gjithë shpirt. Veshja murgeshë në moshën 18 vjeçare si edhe peripecitë e jetës në spitalin e Bengalit e shoqërojnë murgeshën tonë të re në prag të luftës së dytë botërore. Prap dhunë, mizori dhe hekatombe, i panë sytë dhe i dëgjuan veshët murgeshës fizikisht të vogël që sa vinte rritej, piqej e forcohej ! Shërbimi si misionare në Calcutta e ballafaqon me kategorinë më të përçmuar të shoqërisë indiane : njerëzit e braktisur të “plehrave”. Aty e gjen edhe mbarimi i luftës së dytë botërore. Po aty edhe sëmuret e kur del nga sëmundja, konvaleshente, bën të ditur vizionin që i ishte paraqitur ku “ Zoti e thërriste ti shërbente Atij midis më të varfërve të të varfërve “. Dhe që nga ai çast ashtu u bë ! Ajo “ Gonxhe “ e brishtë kishte marrë Urdhërin Madhor dhe kishte filluar të hapej si një “luledielli “e cila, me ngrohtësinë si edhe ndriçimin e saj, të varfërve të të varfërve do tu jepte mbështetje shpirtrore. Kur e pyesnin “ … si do t’ia dalësh në krye detyrës vështirë që po i ve vetes ?”, Ajo përgjigjej : “Rrugët e Të Madhit Zot janë sa të misterëshme po edhe aq të pafundme.“
Në vitin 1950 Nënë Tereza themeloi Urdhërin e Misionareve të Mëshirës. Vitet kalonin dhe Ajo lartësohej, e sa më shumë e çmonte bota aq më fort atdheu i Saj nuk e përfillte. Ç’ishte viti 1979 kur Nënë Terezës i u dha çmimi Nobel për paqën, përpara vitit 1967 që ishte “ viti lapidar kur Shqipëria u vetëshpall shteti i parë ateist në botë (?)” E megjithatë, Nëna sa vinte lartësohej. Me personalitetin e saj, kjo shqiptare e brishtë, arriti më 1982-in ti bindëte si palestinezët e gjithashtu izraelitët ti ndërprisnin luftimet në Bejrutin e rrethuar që ajo të nxirrte nga njeri prej spitaleve dhjetra fëmijë me mangësi mendore dhe ti merrte me vete që së bashku me motrat e Saj tu përkushtohej. Por Ajo nuk ndalet këtu, ose e thënë më mirë, respekti për Të nuk njeh kufij. Presidentët më të shquar të botës si J.F.Kennedy, Ch. DeGaulle, etj. bëjnë garë se cili ta vlerësonte më lart Nënë Terezën. Presidenti Regan më 1985-ën i akordon Dekoratën Amerikane të Lirisë. Por krahas vlerësimeve edhe një garë tjetër vazhdon, ajo midis Nënë Terezës, nga njera anë, si edhe atdheut të saj, nga ana tjetër. Së bashku e filluan udhën e vështirë mbi gërmadhat e luftës. Nga njera anë “ Gonxhja “ e brishtë por me frymëzimin e Saj Qiellor, inauguron të parën shtëpi të “Zemrës Pastër“ ku strehon dhe i mbush me shpresë në Zotin të pastrehët që vetëm një hap i ndante nga … vdekja tokësore, kurse nga ana tjetër atdheu i Saj fillonte “ndërtimin e shtetit të diktaturës proletare, që drejtuesit e tij e quanin si forma më demokratike e qeverisjes që do ta transformonte vëndin në shëmbull begatie dhe mirëqenjeje për të gjithë botën “(?). Rrugët e zgjedhura ishin të ndryshëme po aq sa të ndryshëme ishin edhe forcat që ballafaqoheshin, një shtet me një murgeshë ! Rruga e zgjedhur nga shteti proletar ishte një parabolë që në gjysmën e përshkimit pati edhe pikën e infleksjonit që i paraprin rënjes, atëhere kur u vetëshpall shteti i parë ateist në botë. Pikërisht ky qe edhe fillimi “ i fundit “ të këtij eksperimenti në shkallë kombëtare. Kurse rruga e zgjedhur nga Nënë Tereza, ajo rrugë që dukej më absurdja, e udhëhoqi atë “ Gonxhe “ të brishtë të çelej si luledielli që sa vinte e më shumë rrezatonte dashuri kristiane në botë dhe e udhëhoqi mbi një krah hiperbole që sa më lart e ngrinte … aq më shumë i tregonte botës se edhe në shekullin e fundit të mijëvjeçarit të dytë ku njeriu rron në mes paradokseve, ( nga njera anë mundohet të shkojë në Mars e nga ana tjetër ka mizerie marramendëse ), dashuria ndaj njeriut të panjohur, pa marrë parasysh përkatësinë as kombëtare dhe as fetare, vetëm ajo del fituese në këtë garë që duket sikur ësht’e pabarabartë dhe sikur fitues do të dalë vetëm i forti. Ky është mësimi i madh që na jep Shqiptarja e Calcuttës së cilës Presidenti Clinton i jep Qytetarinë e Nderit Amerikane duke e cilësuar :
“ Gjiganten e kohëve tona “.

Kalimi në amshim edhe i Nënë Terezës, simbolit tonë !

Eshtë e qartë se për Nënë Terezën, këtë shqiptare me përmasa botërore, shumë është shkruar dhe ndoshta aq më shumë do të shkruhet. Megjithatë, për vetë ndjenjat që më pati ngjallur të mësuarët e vdekjes së Saj, nuk mund të rrija pa i hedhur në letër edhe unë … pak fjalë.
Fati e desh që Kjo Krijesë e Perëndisë, pavarësisht se me përkatësi në seksin e ashtuquajtur “të dobët” e njëkohësisht e huaj në Indi, jo vetëm që në sytë dhe zemrat e indianëve u bë së gjalli simbol, si edhe indiani Gandi, por duke mos njohur kufij dashuria e Saj për të varfërit dhe të braktisurit, emri i Saj u bë me plot kuptimin e fjalës sinonim i forcës së Mëshirës Hyjnore anë e kënd botës ! Nënë Tereza u lind dhe jetoi në shekullin e 20-të, shekull i mbushur me kundërthënje : Nga njera anë varfëri dhe sëmundje të skajëshme dhe nga ana tjetër arritje shkencore dhe teknologjike marramendëse. Ajo, me vullnetin e Saj të lirë, nuk zgjodhi rrugën e rehatisë dhe të gëzimit këtyre arritjeve, por ndoqi atë rrugë që i thoshte ndërgjegja, rrugën e Mëshirës Hyjnore ndaj të varfërve, të braktisurve, pra ndaj gjithë nevojtarëve ! Prandaj do të thosha se Nënë Tereza është përtej përmasave dhe kornizës së shekullit në të cilin jetoi, punoi edhe vuajti. Ajo nuk qe e shekullit të teknikës, Ajo i përket përmasës gjithëshekullore !
Vijmë tashti edhe tek largimi nga jeta tokësore e kësaj Shënjtoreje.
Edhe me hapin e fundit që bëri në jetë Nënë Tereza, me vdekjen e Saj, i shtoi edhe një vepër bamirësie vargut të pafund të tyre : Sapo zemra e Saj e madhe pushoi së rrahuri, antenat ia dhanë njoftimin e përvajshëm botës se Nënë Tereza, Shqiptarja e Kalkutës, kishte ndërruar jetë. Kishte kohë që emri shqiptar transmetohej po nga ato antena i lakuar me cilësorë nga më të pahijëshmit. U desh pikërisht vdekja e Nënë Terezës që ta ndigjonim emrin shqiptar të lidhur me vlera dhe merita. Për këtë, përveç respektit për të cilin i detyrohemi Nënë Terezës, i përkulemi me nderim duke i thënë :
Të falemi nderës, Nënë Terezë, edhe për këtë shërbim të fundit që na bëre ne, shqiptarëve !


Direct link Reply with quote
 


There is no moderator assigned specifically to this forum.
To report site rules violations or get help, please contact site staff »


Një prolog si edhe një epilog për Nënën e Madhe Shqiptare, Gonxhe Bojaxhiun!

Advanced search






Across v6.3
Translation Toolkit and Sales Potential under One Roof

Apart from features that enable you to translate more efficiently, the new Across Translator Edition v6.3 comprises your crossMarket membership. The new online network for Across users assists you in exploring new sales potential and generating revenue.

More info »
Protemos translation business management system
Create your account in minutes, and start working! 3-month trial for agencies, and free for freelancers!

The system lets you keep client/vendor database, with contacts and rates, manage projects and assign jobs to vendors, issue invoices, track payments, store and manage project files, generate business reports on turnover profit per client/manager etc.

More info »



All of ProZ.com
  • All of ProZ.com
  • Term search
  • Jobs