Mobile menu

Pages in topic:   [1 2] >
Redaktim apo...?
Thread poster: Monika Coulson

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 06:42
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
Apr 18, 2002

Ju uroj të gjithëve shëndet (kjo është shumë e rëndësishme apo jo?) Dua të hap një diskutim tjetër sot. Kur merrni një punë për të redaktuar, si e bëni redaktimin? Ajo që dua të them është: a fshini gjithçka që përkthyesi ka bërë vetëm sepse ju mund ta formuloni mendimin në një mënyrë tjetër, apo fshini vetëm ato gjëra që janë gabim?



Gjuha është në lëvizje gjithmonë dhe dy njerëz mund ta formulojnë të njëjtin mendim me dy mënyra të ndryshme, dhe të dy të kenë të drejtë. Kam vënë re se shumë redaktorë, e fshijnë përkthimin dhe shkruajnë pikërisht të njëjtën gjë, duke përdorur sinonime, ose duke lëvizur vendin e fjalëve pa qënë nevoja. A do të ishit ju dakort si përkthyes me këtë? Kuptohet, se nëse bëhen ndryshime për shkak të cilësisë, unë e para do të isha në favor të kësaj. Por nëse bëhen ndryshime vetëm për hir të ndryshimit, unë nuk jam dakort me këtë.



Kam punuar për mëse 3 vjet si In-house Translator për një Departament Përkthimi me shumë eksperiencë (mbi 50 vjet) dhe i cili punon me gati të gjitha gjuhët e botës. Aty punova në fillim të karrierës sime si përkthyese, dhe më ka ndihmuar shumë. Aty bëja edhe përkthime, edhe redaktime në shqip.



Manaxherët gjithmonë theksonin këtë gjë kur punoja si redaktore: \"Nëse nuk është gabim, mos e ndrysho. Bëj ndryshime vetëm kur mendon se përmirësohet cilësia, por duhet ta gjykosh mirë kur bën ndryshimin\". Kjo më ndihmoi shumë se me thënë të drejtën, para kësaj, unë vetë isha nga ato që nëse mund ta thosha një mendim me fjalë të tjera, unë e ndryshoja. Si mendoni ju??





Tjetër, përsa i përket përkthimit. Një nga mësimet kryesore që mësova gjatë asaj kohe ishte që kur të përkthesh, duhet t\'i qëndrosh sa më besnik origjinalit dhe në të njëjtën kohë, të ruash kuptimin e plotë të përkthimit, që asgjë, as edhe nuanca më e vogël të mos humbasë gjatë përkthimit. Pak e vështirë apo jo?



Këtu ka dy gjëra: Ka përkthyes që i përkthejnë fjalë për fjalë fjalitë dhe në fund, përkthimi nuk ruan të njëjtën brendi me origjinalin. Me shaka manaxheri im thoshte: këtu hyjnë fillestarët. Por ka gjithashtu edhe përkthyes, që e njohin aq mirë gjuhën, saqë e lexojnë tekstin, dhe në fund bëjnë një përmbledhje të fjalisë, dhe bëjnë një përkthim që mund të duket shumë i bukur, por në fund të fundit nuk i ka mbetur besnik teksit origjinal (në këtë kategori hyjnë profesorët thoshte me shaka manaxheri im).

Ky lloj përkthimi nuk është përkthim, por krijim dhe ne duhet të qëndrojmë larg tij gjithashtu. Ajo që një përkthyes profesionist duhet të përpiqet të bëjë, edhe pse është e vështirë, është që t\'i qëndrojë sa më origjinal tekstit, dhe në të njëjtën kohë të transmetojë kuptimin e saktë.



Dua t\'ju tregoj një eksperiencën time që ndodhi gjatë të njëjtës periudhë. Një grup përkthyesish përktheu një libër voluminoz prej 365 faqesh. Në departamentin e përkthimit ku punoja, përkthimet bëhen me shumë nivele. Mbas përkthimit u ngrit skuadra e Quality Control, që siguronte që brendia ishte e saktë dhe në të njëjtën kohë përkthimi i mbetej besnik origjinalit.



Pas kësaj ngrihej një skuadër tjetër që shikonte nëse libri tingëllonte si shqip, pasi kur përkthehet, ka tendenci të ruhet i njëjti ndërtim fjalish me atë të gjuhës së huaj.



Mbas kësaj ngrihej një skuadër tjetër që bënte Final Review dhe më në fund një njeri i vetëm e lexonte edhe një herë librin për t\'u siguruar se gjatë printimit nuk kishin humbur vizat ndarëse të fjalëve, apo ndarja korrekte e fjalëve në fund të rreshtit apo ndonjë presje, pikë e harruar.



Proces i gjatë apo jo? Zgjati rreth 4 vjet por me gjuhën shqipe kjo kohë e gjatë nuk erdhi si pasojë e këtij procesi, por erdhi se meqënëse asnjë nga përkthyesit, redaktorët nuk e kishin përgatitjen e duhur (si përkthyesë, se fatkeqësisht nuk ka asnjë shkollë përkthimi për gjuhën shqipe, se përsa i përket aftësive gjuhësore si të anglishtes dhe të shqipes, këta përkthyesë ishin zgjedhur mbas shumë konkurimeve).



Pra ajo që ndodhi me përkthimin e këtij libri në shqip është ajo që mund ta merrni me mend: çdo grup i mëpasëm e hodhi poshtë punën e grupit të mëparshëm!!!



Këtu futen disa gjëra: mospërgatitja e duhur si përkthyesë/redaktorë si dhe egoja personale: Unë di më mirë se tjetri! Si përfundim se edhe unë po e zgjat , ky libër i parë i përkthyer nga ky departament, jo vetëm që zgjati shumë, por le shumë për të dëshiruar edhe sot që është i botuar. Me librat e tjerë në vazhdim të gjithë përkthyesit dhe redaktorët morën disa leksione të mira...



Çfarë mendoni rreth këtyre dy subjekteve: Redaktimit dhe përkthimit që ngrita në këtë diskutim?



_________________



[ This Message was edited by: on 2002-04-22 22:42 ]


Direct link Reply with quote
 

Anila Mayhew  Identity Verified
United States
Local time: 05:42
English to Albanian
+ ...
Redaktimi ashtu si dhe perkthimi eshte art me vete Apr 19, 2002

Nga eksperienca ime do te thosha se shpesh redaktimi eshte me i veshtire sesa perkthimi. Sa here qe me eshte dashur te redaktoj punen e nje perkthyesi tjeter, me eshte dashur te matem disa here perpara se te bej ndonje ndryshim. Megjithate, nuk e kam pasur te veshtire qe qe me leximin e pare te tekstit te marr nje ide te menjehershme te nivelit te perkthimit. Ne shumicen e rasteve me eshte dashur te redaktoj perkthime te nivelit mesatar.



Mendimi im profesional eshte qe te mos behen ndryshime per hir te ndryshimit por qe te behen ndryshime te gabimeve. Ketu qendron dhe problemi sepse ka raste kur ate qe une mund ta quaj gabim dikush tjeter mund ta quaje te sakte. Kjo zakonisht ka te beje me zgjedhjen e fjaleve dhe formulimin e fjalise. Une shpesh nuk ngurroj te zevendesoj nje shprehje apo fjale me nje sinonim qe mendoj se eshte me i pershtatshem. Mendoj se redaktori duhet te jape mendimin e tij profesional dhe te tjerat t\'ia lere ne dore menaxherit apo perkthyesit origjinal. Ne nje redaktim qe bera per nje agjenci, mbasi u dorezova punen e perfunduar me mori ne telefon perkthyesja origjinale dhe me tha se gabimet qe kisha vene ne dukje qendronin dhe se ajo kishte qene paksa e paperqendruar kur kishte bere perkthimin. Me thene te drejten thjesht ai gjest modestie me foli shume per karakterin e saj dhe me ndihmoi te jem me e hapur ne komunikimin me te.



Eshte e veshtire shpesh qe dy a tre perkthyes te bien dakort ne lidhje me perkthimin e disa fjaleve apo shprehjeve per faktin se secili ka preferencat e veta. Para disa vjetesh punova ne nje projekt me dy shoqe te mia shume te ngushta dhe nuk e keni idene sa here kemi kundershtuar njera tjetren ne lidhje me perkthimin e disa fjaleve apo shprehjeve te vecanta. Por te pakten dinim si ta ndanim grindjen gjate punes nga marredheniet tona shoqerore sepse mbetem shoqe pergjithmone.



Monika, permende se fatkeqesisht nuk ka shkolle perkthimi per shqiptaret apo gjuhen shqipe. Desha te te korrigjoj sadopak ne kete drejtim sepse Fakulteti i Gjuheve te Huaja ne Tirane te cilin kam mbaruar i perkushton mjaft kohe perkthimit si lende te vencate. Pervec studimit ne detaje te gramatikes, leksikologjise etj. ne vitin e trete dhe te katert, pra per dy vjet me rradhe studentet kane perkthimin (me goje e me shkrim) si lende te vecante dhe marin trejnim te vecante ne kete drejtim. Do te shtoja gjithashtu se profesoret qe japin keto lende jane mjaft te pergatitur, kerkues dhe me eksperience.



Do te thosha se nje Master\'s ne perkthim do te ishte hapi i metejshem ne vazhdimesi te asaj qe studentet mesojne ne fakultet.





Direct link Reply with quote
 

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 06:42
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
Dakort pjesërisht :) Apr 20, 2002

E dashur Anila,

Më lejo në fillim të të drejtohem me ti (edhe pse nuk jemi takuar personalisht më duket sikur njihemi tashmë).



Jam dakort me ty kur thua \"Une shpesh nuk ngurroj te zevendesoj nje shprehje apo fjale me nje sinonim qe mendoj se eshte me i pershtatshem\". Atëherë, dakort, le ta zemë se ti je përkthyesja dhe unë jam redaktorja e përkthimit tënd. Unë marr përkthimin tënd që ti mendon se është shumë në rregull dhe në fakt është dhe unë bëj ndryshimet e mia, kryesisht sinonime, sepse kështu më tingëllon mua më mirë.



Ti thua që ja le në dorë manaxherit ose përkthyesit. Nëse përkthimi është në shqip, atëherë ka shumë të ngjarë që manaxheri as që e ka idenë e kësaj gjuhe.



Përsa i përket përkthyesit: në të shumtën e rasteve kompanitë e përkthimit nuk ia kthejnë përkthimin përkthyesit (janë të pakta ato kompani që ia kthejnë përkthyesit punën e redaktuar). Atëherë përkthimi i saktë është ndryshuar në një përkthimi tjetër ndoshta po aq të saktë (ose jo?), por ku qëndron vlera e ndryshimit? Nga një përkthim në një tjetër ndoshta të të njëjtit nivel! Kjo për mendimin tim nuk do të kishte asnjë vlerë, sepse kuptohet kompania nuk do të punësojë një person të tretë për të gjykuar cili është i saktë, dhe ndoshta të dy përkthimet mund të jenë të sakta, vetëm që është shpenzuar më shumë mund nga ana e redaktorit, për të arritur në të njëjtën cilësi përkthimi.



Prandaj unë i përmbahem këtij parimi në redaktimin e një përkthimi: Nëse nuk është gabim, nuk e ndryshoj atë.



Kur unë e di që përkthimi im do të redaktohet nga dikush tjetër, gjithmonë i kërkoj kompaninë të gjejë një përkthyes/redaktor(e) profesionist dhe jo një amator(e). Gjithashtu u sugjeroj kompanive se nëse ato nuk njohin ndonjë përkthyes/redaktor profesionist, unë mund t\'u rekomandoj atyre disa emra dhe ata të zgjedhin pastaj. Më e mira e të mirave është kur përkthyesi dhe redaktori bashkëpunojnë gjatë këtij procesi.



Unë kam patur eksperiencat më të mira kur kam bashkëpunuar me të tjerët për të njëjtin projekt. Sepse edhe sikur të mos biem dakort për një terminologji të veçantë, përsëri arrihet një rrugëzgjidhje dhe të dyja palët mbeten të kënaqura për cilësinë e përkthimit.



Sa për mosmarrëveshjet për terma me shoqe, e kam parasysh shumë mirë, sepse kam punuar në disa skuadra përkthimesh me disa përkthyesë të tjerë shqiptarë. Është pikërisht ashtu si thua ti, është e vështirë që dy përkthyes të bien dakort çdo herë, sepse gjuha nuk është diçka fikse, ajo jo vetëm ndryshon në kohë, por ndryshon për çdo person edhe si pasojë e shumë kushteve dhe rrethanave të ndryshme: mjedisi, botëkuptimi, familja, shkollimi etj.



Me skuadrën e fundit që punova, të gjithë përkthyesit ishim vendosur në të njëjtën hotel, hanim në të njëjtën restorant, rrinim gjithë kohës së bashku dhe ishim shokë të mirë,pasi të gjithë njiheshim që në Shqipëri por ama të na shihje ndonjëherë kur punonim në zyrë së bashku!!! Pati raste që edhe e ngrinim zërin sa një herë manaxheri na erdhi dhe na tha \"si larg a larg\" se skuadrën e një gjuhe indiane e shkrinë pasi ata vetëm ziheshin dhe burrat kishin përfunduar në grusht!!



Për fat ne kishim vetëm një djalë në skuadrën tonë dhe ai ishte beqar në atë kohë .



Nejse, po e mbyll me kaq për sonte dhe u uroj të gjithëve një fundjave të këndshme.



Monika




[addsig]


Direct link Reply with quote
 

Diana Kristo
United States
Local time: 07:42
English to Albanian
+ ...
Procesi i redaktimit Apr 22, 2002

Më vjen mirë që në këtë forum po shtrohen disa probleme shumë të rëndësishëm siç është ai i redaktimit. Po sjell këtu eksperiencën time në këtë lëmë.

Së pari, lexoj tekstin e përkthyer (në hapat e parë të kësaj pune shumë të vështirë lexohet i gjithë teksti, me fitimin e eksperiencës, mjaftojnë disa paragrafë). Kjo më ndihmon të hyj në \"temë\", në \"rrjedhën\" e përkthimit, pra të mobilizohem për t\'ia filluar punës. Ndalem në ato fjali që nuk më tingëllojnë mirë ose që janë të pakuptueshme (sigurisht nuk lexoj me zë me përjashtim të fjalive të veçanta ose aty ku kam dyshime). Kjo do të thotë se aty kemi problemet më të mëdha. Në këtë mënyrë klasifikoj edhe përkthimin, nëse do të më duhet punë e madhe ose e vogël redaktoriale.

Përqëndrimi gjatë redaktimit:

a) Ana kuptimore (semantika):

1. Keqinterpretimi, pakuptueshmëria, kundrakuptimet, harresat e fjalive, frazave.

2. Përkthim i gabuar i një fjale(p.sh fjala \"scapegoat\" mund të përkthehet në një tekst fetar si \"cjap i shushavës\" (referim biblik), por në një tekst politik përkthehet \"kokë turku\"; shtesa/heqje që dëmtojnë kuptimin; mungesë përpikmërie (është fjala për termat); nuancë e gabuar e fjalës (nuk është fjala për zëvëndësime sinonimie).

b) Ana gjuhësore (sintaksa):

1. Strukturë e gabuar ose e huazuar nga teksti bazë që nuk i përgjigjet shqipes.

2. Gabime gramatikore, ambiguitete (kuptime të dyfishta kur këto nuk i ka origjinali); përsëritje të panevojshme (të kemi parasysh se anglishtja i përdor shumë përemrat vetorë, ndërsa shqipja ka mjete të tjerë); struktura jo idiomatike; huazime të panevojshëm (shumë nga përkthimet janë të mbushura me të tilla, që tregon se disa nga përkthyesit tanë pak e përdorin fjalorin e shqipes dhe pak punojnë me shqipen).

3. Gabime ortografike, të pikësimit si dhe gabime të tjera tipografike.

c) Ana stilistikore:

Sigurisht në stil hyjnë të gjitha ato sa u thanë më sipër por edhe ajo që ka të bëjë me veçanësinë e përkthyesit. Pikërisht këtu nuk duhet të ndërhyjmë, t\'ia ruajmë atij individualitetin, jo të shprehim individualitetin tonë. Unë ndërhyj në ato raste që përmmendëm më lart si dhe në rast se përkthyesi ka ndrruar regjistrin, d.m.th. kur ai nuk ka kuptuar se cilës audiencë ia ka drejtuar tekstin autori i origjinalit. Të marrim për shembull një tekst mjekësor. Teksti mund të jetë për mjekët, i mbushur me zhargone, ose mund të jetë divulgativ, për një audiencë më të gjërë. Pikërisht atëhere ndërhyj unë. Unë ndërhyj edhe kur kemi një përkthim fjalë për fjalë, kur nuk ruhet ekuivalenca në shprehjen e ndjenjave, humorit, sarkazmës, ironisë, nuancave të dyfishta, nënkuptimeve, etj.

Dy fjalë për redaktimin e një teksti të përkthyer nga një grup përkthyesish (nuk themi \"skuadër\", megjithëse në anglisht është \"team\"). Në të tilla raste kemi vetëm një redaktor.Ai bën rakordimin e stilit, termave, me qëllim që përkthimi të duket se ka dalë nga një dorë. Kjo bën që të shmangen edhe zënkat apo polemikat pa bereqet që bëjnë ngandonjëherë përkthyesit.

Sigurisht ka edhe mjaft raste të tjerë që ndoshta do të më kujtohen ndonjëherë tjetër.

Ju uroj suksese në punë të gjithëve.










[addsig]


Direct link Reply with quote
 

Diana Kristo
United States
Local time: 07:42
English to Albanian
+ ...
Apr 22, 2002

Quote:


On 2002-04-20 17:49, monika wrote:

Gjithashtu desha të shtoja këtu edhe udhëzimet që më jepen shpesh nga kompani serioze kur redaktoj përkthime voluminoze:



Ndër më kryesoret janë këto:



-Mos bëj ndryshime objektive (dmth, autori, ose përkthyesi në rastin tonë ka të drejtë, po edhe varianti im është i saktë).



-Mos bëj ndyshime të panevojshme të stilit (psh zakonisht në anglisht preferohet mënyra aktive në vend të pasives. Por nëse origjinali është në pasive dhe përkthyesi e ka ndërruar në aktive, atëherë është mirë që të mbahet mënyra aktive dhe jo të ndryshohet në pasive, përveçse rasteve të veçanta kur do të theksosh psh veprimin dhe jo vepruesin etj).



Të tjera janë:



-redakto në letër në fillim dhe jo në kompjuter



-Lexo me zë të lartë



-Përdor teknikën e mbulimit (mbulo me letër të bardhë rreshtat e mëposhtëm, që të përqëndrosh vëmendjen vetëm tek rreshti që po redakton dhe kështu nuk kalon pa dashje ndonjë rresht).



-Kur shkon në kompjuter, përdor funksionin \"search\", që të gjesh të gjitha fjalët e shkruar gabim (ndonjëherë kur përkthyesi e shkruan një fjalë gabim, i njëjti gabim përsëritet kudo: psh ta zemë kur shkruhet \"Shqipri\" në vend të \"Shqipëri\", përkthyesi ka shumë të ngjarë që të përdorë variantin e vet [të gabuar] kudo njëlloj).



-Shiko për fjalë, shprehje të lëna jashtë etj.



-Nëse e ke lexuar materialin disa herë dhe pak a shumë truri e di (e merr me mend) se cila fjalë vjen pas, fillo lexoje nga fjalia e fundit tek e para, që mundësisht të kapen të gjitha gabimet.



Nejse, këto ishin disa nga udhëzimet që marr zakonisht. Ka dhe të tjera po mjaft për sot



Monika

Ke dashur të thuash: mos bëj ndryshime subjektive









Direct link Reply with quote
 

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 06:42
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
Ndryshime subjektive (dhe jo objektive) Apr 22, 2002

Faleminderit Spadi, ashtu është, desha të thosha ndryshime subjektive (dhe jo objektive)
[addsig]


Direct link Reply with quote
 

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 06:42
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
Grup redaktorësh apo vetëm një redaktor? Apr 22, 2002

Dear Spadi,



Unë kam punuar tre herë në tre grupe redaktimi (bëhet fjalë për vepra voluminoze dhe të rëndësishme dhe nga një departament përkthimi me shumë eksperiencë në përkthimin e gjuhëve të huaja.



Qëllimi i grupit të redaktorëve ishte që nëse bëheshin ndryshime, këto të mos ishin subjektive, por të arrihej një konsensus i përbashkët. Në njërin grup ishim tre redaktorë, në dy të tjerët dy redaktorë. Departamenti i përkthimit në fjalë e ka këtë praktikë të zakonshme dhe nuk e bëri këtë vetëm me gjuhën shqipe. Ata i venë rëndësi aq të madhe redaktimit saqë kanë nivele dhe lloje të ndryshme redaktimi (dhe si rrjedhim grupe të ndryshme redaktorësh) dhe e kanë si rregull se nëse je anëtar i njërit grup redaktimi, i nivelit të parë ta zemë, nuk mund të jesh anëtar redaktimi i nivelit të dytë për të njëjtin vepër/libër. Ata i sjellin redaktorët të punojnë në zyrat e tyre dhe u sigurojnë dhe hotel+ushqim gjatë kohës së punës, plus dhe shpenzime të tjera të nevojshme kuptohet.



Mua më ka pëlqyer gjithmonë të punoj për ta sepse janë shumë të organizuar dhe me shumë eksperiencë. Unë personalisht kam mësuar shumë prej tyre, sepse me ta e fillova dhe karrierën time të përkthimit. Gjithashtu ata u sigurojnë edhe trainim profesional të gjithë përkthyesve (me shkrim dhe me gojë) të tyre, madje dhe na kanë paguar për këtë trainim.



Ata kanë departamente të tilla përkthimi në pesë kontinentet dhe kur isha në Shqipëri zyrat qëndrore të Evropës ishin në Gjermani dhe vinin prej Gjermanisë në Tiranë 1 herë në muaj për të na përgatitur [derisa ja morëm dorën ]. Tani Tirana mesa di unë ka zyrat e veta me disa përkthyes shpiptarë (2 ose 3). Nejse, se dola disi nga tema, por desha të theksoja se ekziston praktika e grupeve të redaktimit dhe mua personalisht më pëlqen të punoj në një grup të tillë.

Monika

Monika



_________________



[ This Message was edited by: on 2002-04-22 22:38 ]

[ This Message was edited by: on 2002-04-22 22:40 ]


Direct link Reply with quote
 

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 06:42
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
Desha të shtoja ... Apr 22, 2002


Gjithashtu desha të shtoja këtu edhe udhëzimet që më jepen shpesh nga kompani serioze kur redaktoj përkthime voluminoze:



Ndër më kryesoret janë këto:



-Mos bëj ndryshime subjektive (dmth, autori, ose përkthyesi në rastin tonë ka të drejtë, po edhe varianti im është i saktë).



-Mos bëj ndyshime të panevojshme të stilit (psh zakonisht në anglisht preferohet mënyra aktive në vend të pasives. Por nëse origjinali është në pasive dhe përkthyesi e ka ndërruar në aktive, atëherë është mirë që të mbahet mënyra aktive (edhe pse nuk është fjalë për fjalë si origjinali) dhe jo të ndryshohet në pasive, përveçse rasteve të veçanta kur do të theksosh psh veprimin dhe jo vepruesin etj).



Të tjera janë:



-redakto në letër në fillim dhe jo në kompjuter



-Lexo me zë të lartë



-Përdor teknikën e mbulimit (mbulo me letër të bardhë rreshtat e mëposhtëm, që të përqëndrosh vëmendjen vetëm tek rreshti që po redakton dhe kështu nuk kalon pa dashje ndonjë rresht).



-Kur shkon në kompjuter, përdor funksionin \"search\", që të gjesh të gjitha fjalët e shkruar gabim (ndonjëherë kur përkthyesi e shkruan një fjalë gabim, i njëjti gabim përsëritet kudo: psh ta zemë kur shkruhet \"Shqipri\" në vend të \"Shqipëri\", përkthyesi ka shumë të ngjarë që të përdorë variantin e vet [të gabuar] kudo njëlloj).



-Shiko për fjalë, shprehje të lëna jashtë etj.



-Nëse e ke lexuar materialin disa herë dhe pak a shumë truri e di (e merr me mend) se cila fjalë vjen pas, fillo lexoje nga fjalia e fundit tek e para, që mundësisht të kapen të gjitha gabimet.



Nejse, këto ishin disa nga udhëzimet që marr zakonisht. Ka dhe të tjera po mjaft për sot



Monika










[addsig]


Direct link Reply with quote
 

Diana Kristo
United States
Local time: 07:42
English to Albanian
+ ...
Redaktimi Apr 22, 2002

E dashur Monika,

Sigurisht, kur eshte fjala per vepra voluminoze, formohen edhe grupet e redaktoreve si ata te perkthyesve. Redaktimi ne te tilla raste behet me shkalle, ose faza. Gazeta \"Le Monde\" p.sh. eshte e famshme per kete. Perpara botimit, gazeta kalon ne shtate grupe redaktoresh. Ne te tilla raste, permes diskutimit, grupi e nje niveli redaktorial arrin ne nje konsensus te perbashket persa i perket terminologjise, regjistrit te perdorur nga autori, etj. dhe pastaj i kalohet materiali grupit te dyte e keshtu me radhe. Redaktoret punojne edhe duke e ndare vepren ne baze te tematikes ku ata ndjehen me mire, ose ekzistojne edhe lloje te tjera te ndarjes se punes. Ndarjen e punes e ben pergjegjesi sipas aftesive. Gjithsesi çdo veper e perkthyer duhet te kete nje pergjegjes. Ne gjuhen e gazetes ai quhet \"i fresketi\", i cili i hedh syrin e fundit (perfundimtar) dhe vepra kalon ne shtyp. Jam kurioze te di cilet kane qene perkthyesit e tjere me te cilet ke punuar dhe cila eshte kompania per te cilen ben fjale?

Te fala


Direct link Reply with quote
 

Anila Mayhew  Identity Verified
United States
Local time: 05:42
English to Albanian
+ ...
Keshilla mjaft te vlefshme Apr 23, 2002

Spadi



Keshillat tuaja ne lidhje me redaktimin jane mjaft te vlefshme. Shume faleminderit per gjithcka.



Anila


Direct link Reply with quote
 

Diana Kristo
United States
Local time: 07:42
English to Albanian
+ ...
Teknikat e redaktimit Apr 23, 2002

[quote]

On 2002-04-22 22:11, monika wrote:





-Përdor teknikën e mbulimit (mbulo me letër të bardhë rreshtat e mëposhtëm, që të përqëndrosh vëmendjen vetëm tek rreshti që po redakton dhe kështu nuk kalon pa dashje ndonjë rresht).





-Nëse e ke lexuar materialin disa herë dhe pak a shumë truri e di (e merr me mend) se cila fjalë vjen pas, fillo lexoje nga fjalia e fundit tek e para, që mundësisht të kapen të gjitha gabimet.



Miremengjes Monika,

Doja te komentoja per dy paragrafet e mesiperm.

Se pari, redaktimi nuk mund te behet rresht per rresht, ne nje fare kuptimi, pa pasur parasysh te gjithe fjaline, madje dhe gjithe paragrafin. Mbulimi behet per korrekturen.



Se dyti, leximi nga fundi ne fillim nuk eshte aspak komod dhe te humbet fillin e mendimit. Megjithate,ne te dyja rastet varet nga personi, se si eshte mesuar ai ta kryeje punen. Gjithsesi, une nuk do t\'i rekomandoja.

Te fala














[addsig]


Direct link Reply with quote
 

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 06:42
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
Përgjigje Spadit :) :) Apr 23, 2002

Quote:


On 2002-04-22 23:46, Spadi wrote:



Jam kurioze te di cilet kane qene perkthyesit e tjere me te cilet ke punuar dhe cila eshte kompania per te cilen ben fjale?

Te fala





Përgjigje Spadit:



\"If i were to tell you i would have to kill you\"



Kuptohet se bëj shaka, por do t\'ju shkruaj sonte në postën tuaj personale nëpërmjet ProZ.



Të fala,

Monika
[addsig]

Direct link Reply with quote
 

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 06:42
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
Dakort me Spadin Apr 23, 2002

Quote:


On 2002-04-22 20:38, Spadi wrote:



Sigurisht në stil hyjnë të gjitha ato sa u thanë më sipër por edhe ajo që ka të bëjë me veçanësinë e përkthyesit. Pikërisht këtu nuk duhet të ndërhyjmë, t\'ia ruajmë atij individualitetin, jo të shprehim individualitetin tonë.





Jam shumë dakort me ju Spadi kur thoni që nuk duhet të ndërhyjmë, por të ruajmë veçantinë e përkthyesit. Kam përshtypjen se keni një eksperiencë të madhe në fushën e përkthimeve dhe redaktimeve. Më vjen shumë mirë që po jepni ndihmesën tuaj në këtë forum. Uroj që më shumë anëtarë të marrin pjesë që të përfitojmë të gjithë nga përkthyesit më me përvojë. Faleminderit.
[addsig]

Direct link Reply with quote
 

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 06:42
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
përshtatje e teknikave sipas rastit... Apr 23, 2002

Quote:


On 2002-04-23 16:17, Spadi wrote:







Miremengjes Monika,

Doja te komentoja per dy paragrafet e mesiperm.

Se pari, redaktimi nuk mund te behet rresht per rresht, ne nje fare kuptimi, pa pasur parasysh te gjithe fjaline, madje dhe gjithe paragrafin. Mbulimi behet per korrekturen.



Se dyti, leximi nga fundi ne fillim nuk eshte aspak komod dhe te humbet fillin e mendimit. Megjithate,ne te dyja rastet varet nga personi, se si eshte mesuar ai ta kryeje punen. Gjithsesi, une nuk do t\'i rekomandoja.

Te fala



Spadi,



kuptohet që çdo njeri ia përshtat teknikat rasteve të veçanta dhe natyrës së vet.



Megjithatë, këto teknika që unë kam përmendur më lart nuk i kam shpikur nga vetja, ato janë teknika shumë të rekomandueshme jo vetëm nga kompani serioze përkthimi, por edhe nga universitetet amerikane.



Im shoq në të vërtetë ka mbaruar për Gjuhësi [linguistics major, pavarësisht se ka edhe disa degë të tjera (minors)] dhe ka marrë disa klasa përkthimi (meqënëse zotëron disa gjuhë të huaja) nga profesori i shquar i përkthimeve Alan Melby i Brigham Young University (një universitet i dëgjuar në të gjithë botën përsa i përket gjuhësisë, përkthimeve dhe gjuhëve të huaja në përgjithësi) (shiko: http://www.ttt.org



Ne e njohim personalisht Z. Melby dhe në disa raste (kur isha pa fëmijë) unë e kam shoqëruar tim shoq në klasat e tij në Universitet, sa për të mësuar, si dhe (kur kisha kohë) lexoja me të. Aty kam mësuar jashtë mase rreth përkthimit, redaktimit etj.



Nejse, siç e shikon unë e kam zakon që dal paksa nga tema, por mesa di unë, disa nga këto mësime janë edhe në internet, kështu sa për kuriozitet do ta pyes Matt (tim shoq) të më japë adresën se ku mund të shkosh.



Aty flitet për redaktime në përgjithësi, si dhe për redaktime të përkthimeve.

Shumë prej teknikave të përkthimit dhe redaktimit i kam mësuar nëpërmjet seminareve të detyrueshme që kam patur (si in-house translator) dhe nëpërmjet këtyre klasave apo librave të Lingustics Department të Brigham Young University.



Të fala,

Monika



p.s. do të shkruaj së shpejti adresën e internetit ku mund të gjenden \"këshilla redaktimi\" . Nuk po e shkruaj këtë për t\'ju kundërvënë juve, në fakt unë i respektoj jashtëzakonisht mendimet dhe këshillat tuaja, por sa për kuriozitet.



















_________________



[ This Message was edited by: on 2002-04-23 22:37 ]

Direct link Reply with quote
 

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 06:42
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
ja ku janë disa adresa Apr 23, 2002

Dear Spadi,



Si e paduruar që jam, mbas një kërkimi të shkurtër, gjeta këto faqe:



1. Nga Purdue University Online http://owl.english.purdue.edu/handouts/general/gl_proof.html



Mes të tjerave, këtu përmenden këto strategji:

Read aloud

Reading a paper aloud encourages you to read every little word.



Read with a \"cover\"

Sliding a blank sheet of paper down the page as you read encourages you to make a detailed, line-by-line review of the paper.



2. http://www.unc.edu/depts/wcweb/handouts/proofread.html



(Leximi nga fundi në fillim) Po e kopjoj siç shkruhet në këtë faqe interneti, më fal që nuk është përkthyer në shqip



\"Read the paper backwards. This technique is helpful for checking spelling. Start with the last word on the last page and work your way back to the beginning, reading each word separately. Because content, punctuation, and grammar won\'t make any sense, your focus will be entirely on the spelling of each word. You can also read backwards sentence by sentence to check grammar; this will help you avoid becoming distracted by content issues. \"





Kuptohet, ka shumë literaturë dhe raste të veçanta për përkthimet, por i shkruajta këto pak a shumë për të patur një ide të përgjithshme.



Gjithashtu unë kam edhe disa materiale të shkruara në libra, po tani nuk kam shumë kohë të kërkoj nëpër to. Back to work now,

Monika


[addsig]


Direct link Reply with quote
 
Pages in topic:   [1 2] >


There is no moderator assigned specifically to this forum.
To report site rules violations or get help, please contact site staff »


Redaktim apo...?

Advanced search






Quiick
Want to earn more in your spare time? Monetize your knowledge!

Do you speak one or more foreign languages? Fluency in target language + willingness & ability to help people in everyday situations could earn you $45 / hour. Download “Quiick Angel” app & become a guardian angel today

More info »
Protemos translation business management system
Create your account in minutes, and start working! 3-month trial for agencies, and free for freelancers!

The system lets you keep client/vendor database, with contacts and rates, manage projects and assign jobs to vendors, issue invoices, track payments, store and manage project files, generate business reports on turnover profit per client/manager etc.

More info »



All of ProZ.com
  • All of ProZ.com
  • Term search
  • Jobs