Mobile menu

Fjalor i ri i toskërishtes
Thread poster: Eva T
Eva T
English to Albanian
+ ...
Mar 16, 2006

Duke pritur fjalorin e toskërishtes

Gjymtyra toskërishte e shqipes fshihet në fjalorin dorëshkrim të Pano Tases. Toskërishtja “e butë dhe plot ngjyra” siç e quan gjuhëtarja Ledi Shamku-Shkreli e cila u kujdes që ku fjalor të rizbulohet plot 65 vjet më pas. Me rastin e botimit të tij Shkreli njofton ardhjen e një vepre radikale për gjuhën shqipe, një nga dy fjalorët dialektorë të saj, pas botimit të fjalorit të gegërishtes i Gazullit. “Fjalorth i Ri. Fjalë të rralla të përdoruna në Jug të Shqipnisë”, i botuar, vetëm me një të tretën e lëndës në vitin 1941, dhe “Rilindja” e Prishtinës e riboton në 1969, tre të katërtat e tij ruheshin dorëshkrim në një bllok llogarish e të zverdhur “hyrje-daljesh” nga i biri i Tases, Pirro.
Ledi Shamku-Shkreli në prag të kësaj feste që sapo nis të zbulojë ca sekrete larushane të shqipes, komenton ardhjen e këtij fjalori si nevojë “e Standardit të Shqipes për t’u ripërkufizuar po me lëndën e vet”.

Më në fund edhe Fjalori i Pano Tases që e keni lajmëruar prej kohësh. Mund të na thoni diçka më tepër se ç’zbrazëti mbush ky Fjalor?
Botimi i dorëshkrimit të plotë leksikografik të mbledhësit Pano Tase nuk mbush një zbrazëti, në kuptimin lëndor të fjalës. Sikundër e kam quajtur edhe në një shkrim timin të mëparshëm, ai është mirëfilli njëra nga dy gjymtyrët mbështetëse të Shqipes Letrare Kombëtare. Ndërsa në rrafshin historiografik të gjuhës, me botimin e këtij dorëshkrimi, ne i kthejmë një borxh historisë, shlyejmë pra një detyrim, pasi kemi gjetur një tjetër hallkë nga gjerdani tradicional i këputur dhe e kemi lidhur tamam në pikën ku do të ish ngërthyer mote të shkuara, nëse rrjedha e ndeshtrashave shqiptare do të kish qenë më e mbarë. Pra u ribotua Fjalori i 54-ës, mandej Fjalori i Gazullit dhe tash gjen vendit e vet botimi i Fjalorit-Dorëshkrim të Pano Tases.
Ky dorëshkrim ka historinë e vet, e cila do shpjeguar shkurtimisht, gjithë për të argumentuar pse pak më lart i mëshohet faktit se ky Fjalor nuk mbush një zbrazëti, por është gjymtyrë e vetë shqipes. Në vitin 1941 te “Visaret e Kombit”, përkatësisht në nr.XI dhe nr.XII u botuan 2 fjalorë: ai i Gazullit “Fjalorth i Ri. Fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë” dhe ai i Pano Tases “Fjalorth i Ri. Fjalë të rralla të përdoruna në Jug të Shqipnisë”. Në dukje të njëjtë, përpos trevës nga ku kishin marrë lëndën. Porse këta dy fjalorë dallonin jo pak në fjalës. Fjalori i Gazullit numëronte rreth pesëmijë lema, kurse Fjalori i Pano Tases dilte çuditërisht shumë më i vogël; në fjalësin e tij rreshtoheshin gjithë e gjithë afro njëmijëegjashtëqind syresh.
Në fakt ky dallim nuk i kalonte askujt pa u vënë re. Siç dihet, koha kur u zgjodhën për t’u renditur te “Visaret” këto dy vepra të leksikografisë, ishte koha kur administrata e arsimit në Shtetin Shqiptar punonte shumë për unifikimin e gjuhës letrare kombëtare. Dhe kjo administratë, e cila drejtohej edhe nga një njeri mendjekthjellët sikundër Karl Gurakuqi, kish përcaktuar si strategji t’u ofronte sa mundej përdoruesve të shqipes materiale gjuhësore apo letrare nga dy kryedialektet, duke synuar me kohë shkrirjen e tyre të butë e sa më objektive në shtratin e gjerë të shqipes së përbashkët.

Meqë synimi i botimeve mbarëshqipe ishte kaq largpamës, përse gjithë ky dallim sasior mes dy dokumentimeve dialektografike?
Pikërisht kërshëria për t’i dhënë shpjegim kësaj pyetjeje u bë vetiu shkas i zbulimit të visarit në krejt përmasat e veta reale. Ja cila kish qenë ecuria e këtij fjalori: Në vitin 1939, kur “Visaret” po përgatitnin për botim Fjalorin Gegë të Gazullit, Pano Tase iu drejtua Inspektorit Epror të Arsimit, Karl Gurakuqit, e i tha se edhe ai kish kohë që mblidhte e rendiste “fjalë e shprehje të Jugut të Shqipnisë” duke synuar hartimin e një Fjalori të Toskërishtes. E kështu Gurakuqi, ky përkthyes albanologësh të shquar dhe hartues i njërës prej gramatikave më të mira të shqipes, pasi t’i kish hedhur një sy, mund t’i thosh në po bënte apo jo një punë të dobishme. Pano Tase e kishte ende në punim e sipër dorëshkrimin e vet ndaj nuk ia dorëzoi të gjithin; i dha veç një pjesë, me afro 1600 lema. Gurakuqit i pëlqeu shumë ky punim, përveçse i erdhi pikërisht në kohën e volitshme, kur po përgatitej për shtyp “Gazulli”. Ndaj edhe Ministria e Arsimit e botoi dorëshkrimin e Tases aq sa qe, pa pritur që mbledhësi ta quante sipas tij të përfunduar gjurmimin dhe skedimin e shprehjeve dhe fjalëve të rralla të toskërishtes veri-perëndimore. Siç duket Tase nuk ka qenë në gjendje asokohe që brenda një periudhe të shkurtër të dorëzonte një fjalor të përfunduar. Gurakuqi e botoi dorëshkrimin aq sa qe i nxitur edhe nga bindja se në procesin e ngadaltë por të mirëmenduar që do të përvijonte formimi i Shqipes-Sintezë, do të dilte sërish rasti i nevojshëm për lëndë burimore toskë, gegë (e madje edhe arbëreshe), dhe deri atëherë dorëshkrimi do t’ish përfunduar duke marrë trajtat e një fjalori-katalog të plotë.
E priti Gurakuqi Fjalorin e Toskërishtes, por pas vitit 1941, sikundër dihet, koha qe e trazuar.
Porse vijuan ta prisnin Fjalorin e Pano Tases.
E pritën hartuesit e Fjalorit të 54-ës, të cilët gjetën fare pak truall mbështetës për hartimin e Klasikut të Shqipes (në fakt Xhuvani e përmend vjeljen e lëndës leksikore qoftë edhe nga minifjalori i Tases që hartuesit kishin në dispozicion).
E pritën skedarët e Kartotekës e Leksikut, që u themelua në vitin 1955, dhe ditën e parë të saj kish brenda vetëm materialet që kishin mbledhur hartuesit e 54-ës në punën për fjalorin.
E priti edhe Ernest Koliqi këtë Fjalor, kur në shkrimin e tij “Gjuha Shqipe”, botuar te “Shêjzat” 9-10, 1958 shkruante: “Në shqipen e ardhëshme na urojmë sajimin e nji synthese së mrekullueshme, përfundim i vetvetijshëm i punimit letrar, ku të përfshihet ajka e fuqís shprehimtare të çdo kandi të Shqipnis […], pra përgjithsisht edhe paja gjuhësore e lylyvertë dhe kumbore e viseve të Jugut ashtu siç shpaliset në fjalorth të Pano Tases”.

Pse po pritej kaq gjatë Fjalori i Toskërishtes?

Por pritet ende sot Fjalori i Plotë i Pano Tases. E pret nevoja e Standardit të Shqipes për t’u ripërkufizuar po me lëndën e vet. Standardizimi siç dihet e frenon dhe e skematizon disi gjuhën, ndaj dhe herë pas here bëhet i domosdoshëm rifreskimi i tij me lëndë burimore. Dhe ndonëse i mbështetur në toskërishte, standardi e ka tjetërsuar pashmangësisht atë si pasojë e përdorimit të kodifikuar, me të cilin ka dashur t’i mbulojë të gjitha fushat e ligjërimeve. Duke e sjellë tash të plotë e të pastër katalogun e Pano Tases, të pandikuar nga “presat” e standardit apo nga replikat kompromise të modernizimit, themi se politikat gjuhësore në vijim kanë se ku mbështeten për rizgjimin e shqipes së brendmi. Sikundër kanë se ku të mbështeten edhe kur të ndërmarrin riaftësimin e gjymtyrës tjetër të shqipes, asaj gegë, e cila, në dallim nga gjymtyra tejet e konsumuar toskë, paraqitet më problematike, ngaqë është lënë të atrofizohet. Shqipja-Sintezë me siguri nuk është një iluzion.

Kush ishte Pano Tase? Herë-herë gojarisht e keni përmendur edhe si dashamirë të gjuhësisë…

Po është e vërtetë, Pano Tase ka punuar gjithë jetën për mbledhjen e pasurisë leksikore të Jugut, por duke i rënë pas fjalës, ai është munduar edhe ta sistemojë atë. Ndaj edhe lënda e fjalorit të tij paraqitet deri diku e ndarë me rregull, ndonëse Tase nuk është gjuhëtar i mirëfilltë. Fjala vjen ai është munduar të ndajë veç fjalët nga shprehjet. Te këto të fundit ka ndërhyrë duke i klasifikuar sërish. Në vështrim të sotëm mund të thuhet se i ka ndarë siç do t’i ndante gjuha, jo metagjuha, pra duke i rreshtuar sipas shtysës së përdorimit. Kështu kemi disa faqe rresht ku ka shënuar mallkimet, mandej fill pas tyre një gjysmë faqeje ku shënon pendimet mbas mallkimit (p.sh. Kush vodhi pulat e mija, i mbifshin pëndët syvet; por më pas: Të mallkova un’e zeza – më zënçin kokën mua ). Po ashtu rendit ngushëllimet sipas rastit, urimet për çdo rast të mire, rendit dollitë që duhen thënë, gjithaq si ta lypë rasti, rendit përkëdhelitë dhe fjalët që ai i quan “me të lutur” – logjika e paraqitjes se tyre të ndërmend larg e larg listën e formulave të politesës të Lumo Skëndos; kuptohet te ky i fundit lënda gjuhësore është urbane, jo folklorike. Gjithashtu është munduar të klasifikojë me vesh si të njëjta disa fjalëfomime të shqipes, por duke u nisur nga zanimi i tyre. Nuk ka dhe aq rëndësi nëse monemat dalluese janë identifikuar shkencërisht saktë. Kush do, mund të studiojë në ato gjerdhe fjalësh ligjësitë automatike të fjalëformimit shqip, apo zgjedhjet konçize të temës fjalëformuese, pa e zgjeruar më kot atë me kësula prapashtesore të tepërta, sikundër sot ndodh rëndom (fjala vjen, Tase ka imtisht në vend të imtësisht).

Historia e botimit të fjalorëve të rrallë deri tani ka qenë një iniciativë private. Përse Institucionet janë mënjanuar nga botimi i këtyre tre fjalorëve: ai i 54-ës, fjalori i Gazullit dhe ky i fundit?

Institucionet nuk janë mënjanuar, janë vetëmënjanuar. Arësyen nuk e kuptoj as unë. Mbase duhen pyetur ata vetë më mirë. Kur ka qenë fjala dikur për të botuar fjalorë apo punime të gegnishtes, një pjesë e hartuesve të të cilëve kanë qenë klerikë, edhe mund të hamendet vështirësia. Por Pano Tase nuk i binte ndesh kësaj vije demarkacioni. Ndoshta shkonte kundër me politikën gjuhësore kostallariane. Ndoshta duhet ta pranojmë se përveç një vije të përgjithshme ideologjike, ka pasur edhe një vijë politikash gjuhësore përjashtuese… . Gjithsesi edhe unë e mendoj shpesh pse të jetë lënë në harresë dorëshkrimi i plotë i Pano Tases, krahu tjetër i binomit dialektologjik Gazull-Tase… . Duhen pyetur të tjerët.

A përkon përzgjedhja idiomatike nga toskërishtja që na servir Tase me rekomandimet e Plejadës toskë lidhur me zgjedhjen e bazës normuese të shqipes?

Pano Tase nuk e shënon gjithnjë ku e ka marrë fjalën apo shprehjen sikundër bën Gazulli, por duke i vëzhguar fjalët rast për rast, të ndihmuar edhe nga statitistikat e rasteve kur e shënon burimin, del se treva gjuhësore që zgjodhi Tase ishte zona Përmet – Berat e më lart. (tek-tuk ka edhe ndonjë shënim “Tiranë”, por Tirana sikundër dihet gjuhësisht është hetereogjene). Pra lënda gjuhësore e çmuar e këtij fjalori është ajo toskërishte veriperëndimore, e butë e plot ngjyra, që ndër gjithë idiomat e toskërishtes afron më fort me të folmet qendrore të shqipes. Lidhur me këtë dua ta nxjerr në pah sugjerimin e F. Konicës, ndër ato mote kur rrihej mendim për ardhmërinë e Gjuhës Letrare Kombëtare në Shqipëri. Pasi mbështeti opinione të ndryshme në shkrimet gjuhësore te “Albania”, lidhur me zgjedhjen e elbasanishtes për bazë standarde, apo përdorimin e toskërishtes si gjuhë proze, kurse të gegnishtes si gjuhë poezie, Konica sugjeron diku “të zgjidhet dialekti veriperëndimor e më saktësisht e folmja që dëgjohet në Berat me rrethina”. “Dhe kjo do të jetë zgjedhja e viteve ’50 në Tiranë, - thoshte Namik Ressuli”. (shih R. Ismajli).
Pra Tase ishte në koherencë të plotë me këtë përfytyrim të pionierëve të gjuhësisë shqiptare. Ndaj është mëkat mosbotimi i këtij fjalori në kohë, pasi besoj vërtet se botimi i plotë tij që në vitet ’40 do të kishte përcaktuar më saktë e më mirë atë çka bashkon dhe ndan Toskërishten me Labërishten. Të gjithë e dinë se atbotë Toskëria dhe Labëria ishin entitete gjeografike jo krejt identike e se me kalimin e kohës, nën termin “toskërishte” u përmblodhën të folmet lale, toske, labe, çame, etj. Ndoshta këtu qëndron edhe arësyeja që shpesh ky standard, kaq fort i sulmuar, jo vetëm nga lart por edhe nga poshtë, është kaq i ftohtë ndaj gjuhës së Nolit, Konicës, Asdrenit, Poradecit, Kutelit etj. Ky standard, në këmbënguljen e tij për të mos u ripërkufizuar, po merr gjithnjë e më tepër trajtat e një burokratishteje të ngrirë, e cila mund të kryejë fort mirë funksione “nëpunësore” zyrtare), por gjithnjë e më pak mund t’i përgjigjet, kështu siç kërkon të mbetet, kohërave dhe sfidave të reja që po lënë gjurmën e tyre mbi plazmën shqipe.
Në fund dua të them se gjithë kjo lëndë gjuhësore e traditës që po hidhet në treg e që nga sa duket do të vijojë të hidhet s’afërmi, tregon se me standardin diçka duhet të ndodhë. Nuk flas vetëm për libra e fjalorë, të traditës ose jo, por edhe debatet e ndezura e të pafundme që bëhen në faqet e internetit (mjaft t’i drejtohesh faqes Alb-Club për të njohur edhe më mirë një realitet tjetër të mendimit për shqipen).
Mbas kaq kohësh shqiptarët po flasin në masë për gjuhën. Ndaj them se nuk do të vonojë të ndodhë diçka në gjuhë. Padyshim që Terracini ka të drejtë kur thotë se: “La linguistica sara’ una causa vinta solo quando andra’ di moda”.


E.Demo



http://albasoul.com/modules.php?op=modload&name=News&file=article&sid=1869&mode=thread&order=0


Direct link Reply with quote
 


There is no moderator assigned specifically to this forum.
To report site rules violations or get help, please contact site staff »


Fjalor i ri i toskërishtes

Advanced search






TM-Town
Manage your TMs and Terms ... and boost your translation business

Are you ready for something fresh in the industry? TM-Town is a unique new site for you -- the freelance translator -- to store, manage and share translation memories (TMs) and glossaries...and potentially meet new clients on the basis of your prior work.

More info »
Anycount & Translation Office 3000
Translation Office 3000

Translation Office 3000 is an advanced accounting tool for freelance translators and small agencies. TO3000 easily and seamlessly integrates with the business life of professional freelance translators.

More info »



All of ProZ.com
  • All of ProZ.com
  • Term search
  • Jobs