Shqipja në krizë
Thread poster: Ledja

Ledja  Identity Verified
United Kingdom
Local time: 01:36
Member (2008)
English to Albanian
+ ...
Mar 20, 2010

Po flitet në masë për dyndjen e fjalëve të huaja në shqipen e sotme, por kjo nuk është e vetmja dukuri shqetësuese. Duke pasur një interes të veçantë për gjinitë letrare, vë re që shqipja po varfërohet dhe ngushtohet në vëllimin e fjalorit të përdorur.

Më është dhënë rasti të korrigjoj përkthimin e disa librave të shkurtër për fëmijë dhe më bie në sy fakti që, ndërkohë që anglishtja kultivon dhe ngulit përdorime sinonimike të fjalëve që në vegjëli (këtë gjë e shoh dhe në mësimdhënie), fjalorët anglisht-shqip ofrojnë një leksik të thatë, të drejtpërdrejtë dhe të kufizuar nga larmia e shprehive. Kjo, sigurisht, është mangësi e folësve dhe shkruesve, jo e vetë fjalorit të shqipes. E vërteta është që fjalori i shqipes vazhdon të më befasojë me përmbajtjen që ka, fjalë që s'i kam hasur më parë në përdorim, por që janë një pasuri e lënë në harresë e që do të na kursenin kaq e kaq stërzgjatje shpjeguese.

Ja disa shembuj të prirjeve që po çojnë në venitjen e gjuhës:

- Kam dëgjuar nga folës dhe të gjuhëve të tjera se është e pamundur të gjesh fjalë të barasvlefshme me çdo fjalë që ofron anglishtja. Psh: scare, startle, frighten, terrify, horrify, pretrify etj.
Sa fjalë përmban shqipja?

tremb
frikësoj
fus/shtij frikën
llahtaris
pataks
tromaks
tmerroj
lemeris
ngrij gjakun
kall datën
lebetit
(shkojnë) shtat
... e ndoshta më tepër.

see, look, watch, spot, observe etc.

shikoj
shoh
vështroj
vëzhgoj
kundroj
sodis
pikas
spikat
dalloj
këqyr
mbikëqyr
vërej/vë re
shquaj
zë/kap syri
ajgëtoj (nga larg)

Ka lëndë të bollshme për sinonime të plot fjalëve të tjera, por zor se ushtrohet përdorimi i tyre kur vjen puna për të shpalosur aftësitë ligjëruese.

- Një mangësi tjetër është se duket sikur shqipja vuan nga emërtimet e sendeve apo veprimeve. Më bën përshtypje përdorimi i dendur, për shembull, i fjalëve të tilla si: sprucoj, injoroj - me arsyetimin se nuk kemi variante tonat - kur lihen në hije ato me taban shqip: stërpik, shpërfill. Është për t'u habitur që të rinjtë sot e kanë vrarë veshin me "lente" dhe nuk njohin "thjerrëzat", apo kuptojnë më mirë "aureolën" se "breroren".

- Po bëhet gjithashtu e zakonshme të përshkruhen apo përkufizohen fjalët, në vend që të nxirren në pah disa të mirëfillta nga fjalori:

Weed (the garden) – shkul barërat e këqija
Pse jo: tëharr?

(arrow) nock – pjesa e thelluar në fund të bishtit të shigjetës
Pse jo: shtjekëz

- Po fashiten nga përdorimi rrënjë të fjalëve:

Sa shqipfolës e dinë që “trysni” vjen nga:
TRYS
1. E shtyp diçka me dorë, me këmbë a me një mjet
tjetër për ta bërë më të ngjeshur; e rras a e ngjesh mirë
diçka; i shtyp dikujt trupin me dorë. Trys baltën (dheun).
I trys brumin. I trysi kurrizin (shpinën) dikujt. E trysi mirë.
2. fiz. Shtyp një trup të ngurtë, të lëngët ose të gaztë, e
ngjesh duke i zvogëluar vëllimin. Trys lëngjet. Trys avujt
(ajrin, gazin).

Fjala “arsim” ka rrënjë fjalën:
ARSEJ
1. I jap arsim, i jap dituri, e mësoj; arsimoj. Arsej fëmijët

Duke patur parasysh këto dy raste e sa e sa të tjera, u çudita vjet në verë që një shoqëri bankare në Shqipëri shpaloste ngado parullat e veta reklamuese për "larmishmëri kredish". Ja ta zëmë se bën vaki që “larmishmëria” të jetë vënë me idenë e një fjale të shpikur enkas me qëllim mbresëlënës, por bën vaki edhe që “shpikësi” të ketë harruar në punë e sipër me kreditë e larmishme se rrënja e fjalës është "larmi". Bën vaki edhe që, me këtë vrull shpikjesh të panevojshme, pas ca vitesh do dëgjohet fjala "i larmishmërishëm".

- Humbja e traditës së mëhershme të përkthimeve

Duke qenë se jam rritur në një kohë kur letërsia për fëmijë ishte e kufizuar në numrin e shkrimeve të reja, lexoja e rilexoja të njëjtat vepra sa i mësoja përmendësh. Ndoshta e kam prej simpatisë e nostalgjisë ndaj atyre veprave, por më duket acarues dhe i padrejtë tjetërsimi i disa përkthimeve të sotshme, si “Simbad Marinari” (a thua kishte marinarë në kohërat e lashta të Një Mijë e Një Netëve? Apo fjala “detar” është bërë e panjohur?) Gjetja aq e bukur e dikurshme e Ishullit Kurrkund (Neverland) të Piter Panit sot u shërbehet fëmijëve si Ishulli që Nuk Ekziston.

- Dëgjohet dendur përdorimi i gabuar i fjalës “koherente" në vend të “bashkëkohëse” (apo "e kohës”). Është krijuar një bindje që kjo është një fjalë mëse shqipe e formuar nga "kohë". Do ishte mirë që sidomos gazetarët të zhbindeshin, të hapnin fjalorin e shqipes e të shikonin që jo vetëm është fjalë e huaj, por dhe shpjegimi që do të gjejnë mbase do t'u hapë sytë e t'i bëjë më... koherentë.

Mos t'ia nis pastaj nga përdorimet e “elokuencës” e sa të tjerave...

Për ta mbyllur, ja një artikull që m'u duk se e ka rrahur temën e këtushme me një gjykim të shëndoshë e penë të hollë:
http://xhaxhai.wordpress.com/2008/01/17/gjymtimi-i-shqipes/ .

Lexim të mbarë

Ledja


Direct link Reply with quote
 

Αlban SHPΑTΑ  Identity Verified
Albania
Member (2008)
English to Albanian
+ ...
I ke rënë në të... Mar 23, 2010

Ledja, është e vërtetë. Kjo gjë ndodh shumë shpesh te ne.

Direct link Reply with quote
 

Ledja  Identity Verified
United Kingdom
Local time: 01:36
Member (2008)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
"think" Mar 27, 2010

Ja një fjalë tjetër që po përkthehet gjithnjë e më varfër në gjuhën tonë. Prirja për t'i rënë shkurt në çdo rast me "mendoj" po humbet natyrshmërinë e të shprehurit.

I think it's going to rain. > Më duket se do bjerë shi.
I don't think so. > S'ma do mendja. / S'besoj.

Why didn't I think of that before? > Si s'më shkoi mendja më parë?

I thought you weren't coming. > Kujtova se s'do vije.

I thought of that too. > Edhe mua më shkoi nëpër mend.

I didn't think things were going to turn out like this. > S'ma mori mendja se do vinte puna kështu.

Think hard! > Vrite mendjen!

Dhe me të vërtetë, we need to think harder.


Direct link Reply with quote
 

Fabiana Papastefani-Pezzoni  Identity Verified
Romania
Local time: 03:36
Member (2003)
English to Albanian
+ ...
Dy gjëra më vijnë në mendje tek lexoj shkrimin tënd Ledja Mar 28, 2010

Shumë faleminderit Ledja, shumë freskues shkrimi dhe frymëzues, edhe pse nga ana tjetër të lëndon shpirtin tek sheh se si edhe shqipja si shumë gjuhë të tjera po derdhet rrëmbimthi në detin e gjuhëve ku njëra po përzihet rrezikshëm me tjetrën.

1) Sikur të tërë të bënim pak ushtrime në ditë me etimologjinë e fjalëve, ku e di unë, rreth 10 minuta në ditë, do të zbulonim thesare. Unë e pranoj se ndjej etje për burime ku të shoh dhe të kërkoj, lexoj e pasurohem, të isha në Shqipëri do shkoja më shpesh në Bibliotekë ndoshta se nuk gjenden më në shitje libra studimore në lëmin e gjuhësisë...nuk di nëse bëhen më studime.

2) Nejse, por zilja që më ra më fortë në kokë, kur lexova sidomos shkrimin tënd të dytë është çështja e "match", pra e përputhjeve kur flasim për memorie përkthimesh.

Shumë agjenci më thonë: oh po kemi na bëj zbritje se dokumenti ka gati 70% përputhje. Shih vetëm shembullin që dhe ti! Qysh mund të mendosh që "think" të vësh përherë njëlloj, ja këtë më thuaj ti. Unë përpiqem t'ua shpjegoj por disa bëjnë sikur nuk e marrin vesh dhe bile thonë: oh, po ç'u pa që ekzistojnë TM atëherë? Unë kuptohet që e kam përgjigjen gati duke u thënë që mund t'ua ul çmimin por shpesh unë duhet ta rishkruaj nga fillimi frazën edhe kur programi "mendon" se është pothuaj njëlloj fraza.

Për këtë arsye unë kam përgatitur një si lloj dokumenti, "Rregullore mbi Përputhjet" dhe ua dërgoj këtyre agjencive sa herë që më bëjnë këtë lloj trysnie. Kur e kuptojnë dhe e pranojnë ecim përpara, në rastet e tjera përshëndetemi "përzemërsisht".

Meqë ra fjala, nuk e di nëse e keni vënë re një peticion që është bërë nga një grup përkthyesish këtu në proz: http://www.proz.com/about/ipetition

Sipër këtij peticioni ka edhe disa lidhje ku pyetet nëse dëshironi të merrni vesh më tej de nëse do të donit të shprehni mendimin tuaj mbi këtë peticion.

Unë ju uroj të gjithëve një fillim jave të mbarë,

Fabiana


Direct link Reply with quote
 

Ledja  Identity Verified
United Kingdom
Local time: 01:36
Member (2008)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
"time" Apr 22, 2010

Fabiana, mua s'më ka rënë ende për pjesë të bëj pazare me përqindjet e përputhjeve në CAT tools, po me gjithë qejf do ta kisha lexuar rregulloret tënde për t'u "armatosur" me përgjigje". Se, fjala bie, njëqind-përqindçi i fjalës "time" më del punë e ngatërruar mua :

What's the time? (ora)
How many times? (herë)
Those times are gone! (kohëra)
We time the process to manufacture our cars very precisely. (mat kohën)
Time the clock. (kurdis)
Have a good time on your holidays! (kalofsh)

(Le GoogleTranslate pastaj që e qan fare)

Një gjuhë si e jona që ka një mori alternativash në të shprehur ( merr psh. fjalën "fol":

them
bisedoj/bashkëbisedoj
kuvendoj
llafos
kumtoj
ligjëroj
pleqëroj

llomotit
dërdëllit
turtullit
llap
çuçurit
prashit/çaprashit
katroj
prashit
rrakat

përgojoj
marr nëpër gojë
përflas ),

është gjynah të qahet për varfëri e të justifikohet me huazime pa vend.


Direct link Reply with quote
 

amurati
Local time: 02:36
English to Albanian
+ ...
Është e vërtetë që gjuha shqipe dal nga dal po përmbyset me fjalë të gjuhëve tjera Aug 26, 2010

Gjuha shqipe ka shumë fjalë që nuk përdoren kryesisht në bisedat normale apo edhe në shkrimet e ndryshme letrare.

Në mënyrë të përsëritur shumë herë ndodh që të has në fjalë që kanë rrënjë nga gjuhë tjera.

Në një mënyrë për të gjetur më lehtë se prej nga ka ardhur një fjalë duhet që të mësojmë disa gjuhë dhe tani prej atyre gjuhëve e di se cila fjalë ka ardhur në gjuhën shqipe.

Nga ana tjetër fjalorët e gjuhës shqipe duhet t'i përmbajë të gjitha fjalët e gjuhës shqipe. Një softuer që e ka punuar një kompani në Kosovë ka mangësi të theksuara të fjalëve ndonëse nuk përkufizon se sa përqind nga fjalët e fjalorit të sotëm të gjuhës shqipe janë të futura në atë sistem.

Me të vërtetë duhet punuar sa më shumë për gjuhën shqipe sidomos në fushën e teknologjisë informative.


Direct link Reply with quote
 

BrunildaTernova
Italy
Local time: 02:36
fjalor Feb 12, 2011

Nuk do ishte keq sikur të krijohej një fjalor etimologjik i shqipes - bashkarisht me sinonimet - këtu në proz, për të ndihmuar në përhapjen dhe pasurimin e gjuhës. Kjo do ishte me vlerë për të gjith përkthyesit shqiptar anembanë botës (që përdorin internetin) e sidomos për përkthyesit e rinj.

Direct link Reply with quote
 

Ledja  Identity Verified
United Kingdom
Local time: 01:36
Member (2008)
English to Albanian
+ ...
TOPIC STARTER
Nga t'ia nisim... Feb 19, 2011

Bruna, të uroj mirëseardhjen në bashkëbisedimet tona dhe dua ta mbështes sugjerimin tënd, aq më tepër që ideja e hapjes së kësaj teme ishte pikërisht kjo: të mblidhen kontribute të shumëllojshme gjuhësore për dukuri, fjalë, shprehje, tradita e risi të gjuhës, jo vetëm në aspektin përkthyes, por atë shprehimor të shqipes.

Unë mbaj një skedë në kompjuter ku vazhdoj të shtoj sinonime sa herë që i has, qoftë gjatë punës apo dhe rastësisht. Fillimisht u shtyva nga nevoja për të gjetur onomatopè që t'i përgjigjeshin atyre të shumtave të përdorura në anglishten e tregimeve/përrallave për fëmijë. Por më ka dalë një listë goxha e gjatë që e vizitoj kur fjalorët dy-gjuhësh s'ma mbushin syrin.

Ja sinonimet e fjalës "thërras":

bërtas
gërthas
gërvallem
ulërij
piskas
klith
bubutij
çirrem
këlthas
sokëllij
vikat
karkat
vërras

Ja llojet e erërave me gjithë larminë krahinore:

jugë
boricë (e ftohtë, me borë)
bundë
denik (e fortë, me shi)
fërtymë
frashi (e ngrohtë nga J, që sjell shi)
murrlan (e ftohtë, me rrëmbim)
furfule
furtunë
stuhi
garbi (e ftohtë, nga P ose JP)
gërnjollë (me shi, nga VP)
goren (nga V)
hambarthatë (e ngrohtë, e thatë, nga J – dëmton të lashtat)
joshtër (e ngrohtë, nga J, dëmton të lashtat)
legë (e fortë, rrotulluese)
dredhë
malijë (e ftohtë, nga malet)
ostri (e ngrohtë, nga JO) sjell shi, dëmton ullinjtë
pajagë (e ngrohtë, than bimët e pemët)
skundër (e kundërt – në lundrim)
suferinë (e vrullshme, e ftohtë, me shi)
shakullinë (e vrullshme, rrotull)
shirok (detare, e ngrohtë, me shira, nga J, sjell shira)
shkupë (e ngrohtë, shkrin borën)
trumë (e fortë, stuhi)
tufan
uragan
vore (e ftohtë e veriut)
xhindër (që rrotullohet)


Një veçori që më bën përshtypje është se në shumë raste më bie të gjej një mori sinonimesh në kuptimet negative të disa fjalëve, ndërkohë që ato pozitivet janë shumë më të pakta. Për shembull:

mërzitur
trishtuar
shqetësuar
angështuar
brengosur
sëkëlldisur
dëshpëruar
trazuar
pezmatuar
hundë e buzë/buzëvarur/turivarur
pikë e vrer
qejfprishur
pakënaqur
buzëplasur/shpirtplasur
pikëlluar
zymtë
vrerosur
______________________

gëzuar
ngazëllyer
lumtur
shend e verë
kënaqur
zemra mal
tërë gaz/hare
hareshëm

Gjithashtu një shembull tjetër:

pis
ndotur
ndyrë
papastër
qelbur
katranosur
lyrosur
përbaltur
llangosur
fëlliqur
përlyer
njollosur
___________________

pastër
dëlirë
kulluar
xixë
akull

Përveç zgjerimit të fjalorit, do qe me interes dhe vënia në dukje e disa përdorimeve të gjuhës që tingëllojnë krejt të panatyrshme për shkak të ndikimit nga gjuha nga e cila përkthehen. Është për të ardhur keq që nuk përdoren ato veçori gramatikore të cilat pikërisht shqipja i ka si pasuri, ndërsa gjuhëve të tjera u mungojnë. Marrim trajtat e shkurtra:
ai vodhi kuletën e tij kur ...
shqip e bukur: ai ia vodhi kuletën kur ...

Pres me kureshtje nëse ndokush ka fjalë për t'u shtuar këtyre listave, por dhe të afishojë të tjera që mund të jenë me interes për gjuhëtarët e përkthyesit.

Ledja


Direct link Reply with quote
 

Roland_Lelaj  Identity Verified
Canada
Local time: 20:36
Member (2008)
English to Albanian
+ ...
Kontributi im i shpejtë dhe shkurt Mar 7, 2011

Përshendetje Ledja dhe gjithë të tjerët,

Kjo iniciativë është pozitive dhe për tu përkrahur nga të gjithë.

Nuk e di, por duhet gjetur një mënyrë më e goditur renditjeje dhe arkivimi të gjithë këtyre termave të shumëllojshme të gjuhës sonë, për ti konsultuar me lehtësi në një moment të dytë kur na duhen.

Sidoqoftë, po shtoj edhe unë pak fjalë tek lista e Ledjas. P.sh. tek erërat desha të shtoj: zefir, fllad, puhi-puhizë. Pa dyshim cdo krahinë apo zonë gjeografike ka emërtimet e saj të pafundme. Në zonën e Korçës p.sh. kam dëgjuar që era e jugperendimit quhet voskopojare, një erë tjetër quhet devollka etj. etj.

Tek sinonimet e "i pastër" ndoshta mund të shtohet edhe "dritë", "xham"...

Punë të mbarë.


Direct link Reply with quote
 
Fred Frani  Identity Verified
Albania
Local time: 02:36
Member (2016)
English to Albanian
+ ...
Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe Jul 12, 2016

Ka një fjalor shumë të mirë të gjuhës shqipe me mbi 35 000 zëra.
Autorët: Ali Dhrimo, Edmond Tupja, Eshref Ymeri.

Unë e kam, por deri tani më ka hyrë në punë rrallë.


Direct link Reply with quote
 
Fred Frani  Identity Verified
Albania
Local time: 02:36
Member (2016)
English to Albanian
+ ...
sinonimet e fjalës THEM sipas fjalorit sinonik që sapo përmenda Jul 12, 2016

THEM - flas, fjalos, përflas, bis. llatos, shfaq, shpreh, pohoj, përmedn, këpus, (ia) fush, (ia) pres, katroj, njoftoj, lajmëroj, thërras, porosis, urdhëroj, tregoj, rrëfej, shqiptoj, mendoj, kujtoj, pandeh, v. III flet, pëhap, nxjerr qit (fjalë), quaj, thërras (me emër), ia marr (një kënge), v.III këndon, v.III shkruan, pasqyron, shpreh (diçka), e qaj, e shkrij, i luaj fenë, e bëj për merak (një punë, gatim, etj.), ta zëmë, pë shembull, vallë, matem, mendoj, mendohem, synoj, bis. ia bëj, shprehem, gjegjem, përgjigjem, bëzaj, (i) bie, ia pata, (i) drejtohem, thuhet, besohet, mendohet, flitet, pëshpëritet, qarkullon, rrëfehet, v.III është

Direct link Reply with quote
 


There is no moderator assigned specifically to this forum.
To report site rules violations or get help, please contact site staff »


Shqipja në krizë

Advanced search






Across v6.3
Translation Toolkit and Sales Potential under One Roof

Apart from features that enable you to translate more efficiently, the new Across Translator Edition v6.3 comprises your crossMarket membership. The new online network for Across users assists you in exploring new sales potential and generating revenue.

More info »
PerfectIt consistency checker
Faster Checking, Greater Accuracy

PerfectIt helps deliver error-free documents. It improves consistency, ensures quality and helps to enforce style guides. It’s a powerful tool for pro users, and comes with the assurance of a 30-day money back guarantee.

More info »



Forums
  • All of ProZ.com
  • Term search
  • Jobs
  • Forums
  • Multiple search