Translation as synonimic act .....
Thread poster: Stavros Dagios
Stavros Dagios
Local time: 07:31
French to Albanian
+ ...
Mar 24, 2003

Dr. STAVRI J. DAJO







Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar kolegë!

Më së pari, dua të falënderoj organizatorët e këtij sesioni shkencor dhe personalisht Kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve “Mitush Kuteli”, poetin Zyhdi Morava, që më dha rastin të asistoj në këtë takim. Takimi, besoj, do të shtojë shumë fakte, analiza shkencore dhe deuksione me vlerë për këtë figurë të shquar të letrave shqipe dhe mësues të madh të shkrimtarëve të rinj e sidomos të përkthyesve të letërsisë me ndihmesën e tij të vyer në fushë të lëvrimit të shqipes. Tregimet e Mitrush Kutelit, me përshkrimet e tij të mahnisthsme, me karakteret e gjalla, por sidomos me ngjyresën dhe pasurinë e tyre gjuhësore janë tashmë pjesë e vyer e traditës sonë letrare.

Por unë besoj se Dhimitër Pasko meriton një vend të veçantë në altarin e letërsisë shqipe për punën e tij të madhe me gjuhën dhe pasurimin e saj. Shqipja e Dhimitër Paskos është një tregues i emancimit të tij të përgjithshëm intelektual. Kam bindjen se nuk është e rastit që kjo figurë e respektueshme e letërsisë klasike shqiptare firmoste vepren e tij të mirëfilltë letrare me pseudonim (Mitrush Kuteli) ndërsa përkthimet me emrin e tij të vërtetë (Dhimitër Pasko). Besonte dhe vet, hamendësoj, se ndihmesa e tij si përkthyes ishte më e madhe se sa si krijues veprash letrare. Fan Noli i pari, Dhimitër Pasko, më vonë, dhe në periudhën bashkëkohore, Petro Zheji, janë tri emra që duhet të veçohen në çdo enciklopedi të letrave shqipe. Unë, si përkthyes, ndjej emocion të veçantë ballë gjuhës dhe pasurisë leksikore që këta tre burra të mënçur na lanë. Ata, padyshim, krijuan atë traditë të ngulitur të shkëncës dhe të përkthimit letrar, dhe me të, besoj, ndikuan fort në tërësimin e gjuhës shqipe, ndikuan fort në gjuhësinë shqiptare. Ata lanë një mësim të madh: Gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër, duhet të shkruhet në formatin e gjuhës popullore dhe të folklorit, por pa u vulgarizuar, pa u thjeshtëzuar, por duke u pasuruar me vlera e lëndë të re gjuhësore.

Në kujtim të këtij mësuesi të madh, i cili luajti një ndikim të patjetërsueshëm në personalitetin tim si punonjës i gjuhës shqipe dhe si përkthyes, në kristalizimin e ndërgjegjes dhe ndjesisë sime estetike dhe gjuhësore, po ju lexoj këtë kumtesë modeste.





PËRKTHIMI SI AKT REFLEKTIMI ESTETIK SINONIMIK



1. Ç’ ËSHTË PËRKTHIMI? Një teknikë gjatë së cilës mbartim (transportojmë një përmbajtje semantike dhe estetike të një kumtimi të një gjuhe A (gjuhë-amë drejt një kumtimi të një gjuhe B (gjuhë-objektiv), duke u përpjekur të mënjanojmë në maksimum shtesën ose pakësimin e informacionit që përmban gjuha A. Ky përkufizim i Á. Culiolit është ndoshta më i godituri në shkencën e estetikës së përkthimit letrar.

Është e qartë, mund të veçojmë tri teknika të përkthimit: 1. Përkthimin e literaturës letrare (letrar), 2. Përkthimin e literaturës shkencore (shkencor) dhe 3. Shqipërimin e termave (fjalorët sinonimikë. Teknika e parë lidhet me shqipërimin në gjuhën objektiv B, siç përcaktohet nga A. Culioli, të një teksti letrar dhe nënkupton transportimin si të përmbajtjes semantike ashtu edhe të asaj estetike konotative. Për teknikën e dytë dhe të tretë nuk do të flasim. Është fjala për stile të tilla përkthimesh. P. sh. Toka rrotullohet rreth diellit. The earth turns round the sun. Teknika e tretë nënkupton shqipërimin e saktë të termave p.sh qelizë = cell. Jemi ndeshas me dy pyetje të vështira a. Mund të mbartim (trans-port) përmbajtjen e një kumtimi të një gjuhe në një gjuhë tjetër pa shtuar informacionin e saj? Ky do të mund të quhej përkthim i shtuar (extensive translation) dhe b. Mund të mbartim (trans-port) përmbajtjen e një kumtimi të një gjuhe në një gjuhë tjetër pa pakësuar informacionin? Ky do të mund të quhej përkthim i pakësuar (intensive translation). Para se t’ i përgjigjemi, pozitivisht ose negativisht, kësaj pyetjeje, kujtojmë se fjala transport në anglisht ka edhe kuptimin e një deliri, dmth të një symptome frenopatie që shfaqet si e folur përçart ose si delir! Si rrjedhojë, pa rënë në kompleksin e të folurit përçart (duke shtuar ose pakësuar përmbajtjen e saj) nuk mund të përkthejmë/transportojmë ose të shqipërojmë, në rastin e shqipes, kumtimin e një gjuhe në një gjuhë tjetër.



2. PËRKTHIMI NËNKUPTON KONTAKTIN MES DY GJUHËVE? Në thelb, teknika e përkthimit (teknologjia, thënë ndryshe) nënkupton ndeshandeshjen (ballafaqimin-krahasimin) e togfjalëshave të caktuar të dy gjuhëve të ndryshme ngaqë krahasojmë unitetin e tyre kuptimor, p.sh. të shprehjes një kompliment pa shije me shprehjen e barasvlershme franceze un compliment fade. Në thelb, teknika e përkthimit nënkupton barasvlefshmërinë kuptimore dhe estetike (konotative) të gjuhëve A dhe B me synim të fundit barazinë e plotë (plotpërputhjen) semantike dhe estetike të tyre.

Por, në thelb, gjërat nuk janë kështu. Madje, janë ndryshe ose bile, krejtësisht të kundërta. Gjatë përkthimit nuk vëmë ballaballas kumtime, unitete kuptimore ose fjalë të dy gjuhëve të ndryshme duke synuar simetrinë e tyre ose simetri kuptimore të përafërta. Përkundrazi, synojmë të shprehim një kuptim të dhënë të një sistemi të dhënë semantik dhe semiotik në një sistem tjetër semantik dhe semiotik. Ose diçka të përafërt.



3. SHTIM OSE PAKËSIM i përmbajtjes kuptimore ose estetike do të thotë thjesht shmangie estetike ose dhe ndryshim kuptimor. Ose dhe mosbarazim me realitetin estetik dhe estetik të gjuhës A dhe B. A mund të përkthehet në ndonjë gjuhë tjetër fjala shqipe buzëpashur si njësi semantike e kompozuar (fjalë e përbërë, pra a ekziston në ndonjë gjuhë tjetër një realitet i tillë gjuhësor? Sipas një shpjegimi të pranuar mirëfillli, të gjitha përkthimet janë akte shtese ose pakësimi të përmbajtjes së gjuhës objektiv A, ngaqë nuk ekzistojnë në asnjë gjuhë fjalë plotësisht sinonime, përveç dubleteve të tilla leksikore si material=lëndë, maternitet=shtëpi e lindjes etj. Pra, sinonimia dhe dubletizimi leksikor është një praktikë estetike e dyshimtë e cila mund të dëmtojë një përkthim të mirë. Për shembull, fjala kasolle, bun do të thotë ndërtesë e thjeshtë përdhese, e bërë kryesisht me thupra, me qerpiçë, me gurë etj. dhe e mbuluar me kashtë, si strehim i përkohshëm veror ku flë bariu ose rojtari, ndërsa adekuati anglez hut (hovel, shack, hutch, hutment) óçìáßíåé ðåñßðïõ: a small dirty house (which needs a lot of repair) with only one or two rooms which is usually made of wood, mud or grass. Në frengjisht barasvlefshmëria do të ishte Bicoque që do të thotë Petite maison de mediocre apparence. E kështu me radhë. Dhe tani, lë të përpiqemi, pa na qenë i njohur i gjithë mjedisi gjuhësor kuptimor, të përkthejmë shprehjen Ah, të kisha një kasolle, në një nga gjuhët e mësipërme, duke iu shmangur shtesës ose pakësimit të ngarkesës semantike ose emocionale të shprehjes. Çdo ndërkëmbim (alternativë sinonimik do të ishte akt përdhunimi (semantik ose emocional). Sepse kuptimi i fjalës kasolle nuk e dimë se çfarë përmbledh konkretisht, është ndërtesë përdhese për bagëtinë (plevicë, bërë prej thuprash, kashtë apo bar, ndyrashe, etj etj.



4. PËRKTHIMI SI REFLEKTIM SINONIMIK. Ndjesia gjuhësore e shkrimtarit çek Milan Kundera i diktoi shkrimtarit krijimin e termit reflektim sinonimik. Vërtet, akti estetik i përkthimit nuk është veçse një reflektim sinonimik, shprehje simetrike e kumtimit të gjuhës amë në një kontratë tjetër shoqërore të një bashkësie tjetër shoqërore dhe gjuhësore. Nuk ka dhe nuk mund të ketë përkthim besnik, të plotpërputhur. As utopia e përkthimit të keq, siç thuhet shpesh, si përkthim besnik, është e pranueshme. Të gjitha përkthimet, të mira apo të këqia, janë jo besnike, që devijojnë nga teksti i gjuhës amë. Për arsyet që sapo zumë ngoje. Dhe për një arsye tjetër, fare të thjeshtë: Përkthyesi nuk pushon së qeni dhe ai vet një bartës subjektiv mesazhesh, i cili nuk mund të mbartë 100% përmbajtjen gjuhësore dhe estetike të tekstit të gjuhës A në gjuhën B, ashtu siç do ta përcillte vet autori i tekstit të gjuhës A. Do të mund ta mbartte në një përqindje mbi ose nën 100%, por kurrësi saktësisht 100%. Në italisht thuhet traduttore-traditore. Përkthyesi është, gjithashtu, si të gjithë lexuesit, receptor mesazhesh të gjuhës A, ndërsa transmetuesi i tyre është vet shkrimtari i tekstit. Por që në momentin kur ai merr përsipër transmetimin e mesazhit në gjuhën B shndërrohet dhe ai vet në transmetues të mesazheve të gjuhës A. Do me thënë, si transmetues përcjell (prodhon/krijon) dhe ai vet mesazhe, është, në thelb, krijues. Por në procesin e krijimit mund të shformojë (jo riformojë mesazhin e shkrimtarit, të shtojë ose të pakësojë përmbajtjen e tij semantike dhe emoncionale. Për shembul gjetëm, shprehjen në anglisht …. and then she was in the family way by him…. Dhe përkthimi që u gjend në gjuhën shqipe …. dhe pastaj u gjend në rrugë për në familjen e tij me të.... Ndërsa përkthimi i drejtë (nuk them i saktë do të ishte …. dhe mbeti me barrë me të...

Por lë t’ i kthehemi simetrisë sinonimike të një përkthimi letrar. Shprehja e thjeshtë Ishte i gëzuar si do të përcillej në anglisht: He was cheerful, glad, jocose, jolly, joyful, merry, sunny etj. etj. Vërtet, qënka shumë e vështirë të vendosësh, ballë mëdyshjes filologjike, mënyrën e përcjelles reflektive të kumtimit të panjohur për lexuesin e gjuhës B por të njohur për lexuesin të gjuhës A.

Në thelb, teknologjia e përkthimit, në kuptimin e saj të mirëfilltë, nënkupton gjetjen e fjalës sinonime p.sh. të fjalës mal të gjuhës A në gjuhën B mountain kur kemi vënë ballas dy realitete të njëjta dhe të barasvlefshme nga ana e pasurisë leksikore. Përkthyesi gjendet saherë ballë tekstit origjinal, do me thënë të gjuhës A, ndërsa lexuesi ballë gjuhës B, do më thënë përkthimit. Ndërmjet gjuhës A dhe gjuhës B ekziston gjithmonë një hendek, të cilin e njeh vetëm përkthyesi. Sa më i madh është ky hendek (do më thënë përqindja për të cilën folëm më lart, shtese apo pakësimi) aq jobesnik është përkthimi. Dhe e kundërta, sa më i vogël është ky hendek, aq më besnik është ky përkthim. Së fundi, përputhja e plotë ndërmjet tyre nënkupton një përkthim ideal. Paraqitja grafike e të tre këtyre rasteve të teknikës së përkthimit, do me thënë të përkthimit intensiv, ekstensiv dhe të plotpërputhur (fitted) tregohet më poshtë:



Á Â Á Â Á Â Á/Â



1. Intensiv 2. Ekstensiv 3 I plotpërputhur

(i pakësuar) (i shtuar) (fitted)

Shprehjet e ngulitura gjuhësore, syzhetë e vargjeve të këngëve popullore të një konceptimi të lartë figurativ dhe gjuhësor, fjalët e përbëra, fjalët e mënçura të një gjuhe që janë pasuri e patjetërsueshme gjuhësore e saj të cilat nuk kanë adekuate simetrike në gjuhën B, do të përkthehen vetëm me mënyrën e dytë, do me thënë në mënyrë perifrastike, pra, pa gjetur plotësisht shprehjen simetrike sinonimike të gjuhës B dhe kësisoj, në thelb, do të përifrazohen ose do të interpretohen gjuhësisht. Dhe në këtë mënyrë koncepti i përkthimit sinonimik e të plotpërputhur bie.



5. FAKTI QË NA TMERRON PA MASË përkthimi në një gjuhë tjetër i dy foljeve ndihmëse që përbëjnë themelin semantik të çdo gjuhe, të foljes kam dhe jam lidhet me një shkak fare të thjeshtë. Këto dy folje shprehin dy kuptime bazë të përmasës njërëzore: folja jam kumton eksistencën tonë, ndësra folja kam përmbajtjen e kësaj ekzistence. Me një fjalë, këto dy folje, shprehin mënyrën e ekzistencsë sonë. Shprehin, në thelb, gjithë çka përmban dija njërëzore e së vërtetës: historinë, filozofinë, letërsinë, etj. Në një hulumtim të thjeshtë gjetëm foljen jam të përkthyer në 227 folje të ndryshme (sinonimike) në përkthime të ndryshme, si: ekzistoj, gjendëm, vrapoj, takohem, prezantohem, ha, duroj, bisedoj, etj. Prandaj, besoj, se shprehja Cognito ergo sum u përkthye “keqas”, si Mendoj, pa ekzistoj. Po të përkthehej p.sh.: Mendoj, pa torturohem, ose: Mendoj, pa nuk kam vdekur, do të kishim shprehur të njëjtën të vërtetë. Të gjitha këto versione nuk janë veçse formë e shprehjes së ekzistencës njërëzore.



6. PËRSËRITJE FJALËSH PA ART. Kemi zgjedhur tekstin e mëposhtëm: E pa në sy. Sytë e saj ishin pa shprehje. Sytë e tij, përkundraz,i ishin plot dritë. Sytë e saj donin t’u shmangeshin syve të tij. Mos më shiko në sy, sikur donin të thoshnin sytë e saj. Është e qartë, “dialogu” zhvillohet me sy. Pra, gjatë përkthimit nuk mund t’i shmangemi përsëritjes së fjalës sy as edhe njëherë. Ndjesia jonë gjuhësore dhe instinkti i përftuar gjatë mësimit të leximit letrar mirë është që të mos funksionojë në rastin e dhënë. Por nga ana tjetër, nuk prish shumë punë nëse ndjesia jonë gjuhësore ishte më e hollë, më e zhvilluar, nga ndjesia gjuhësore e viktimës sonë, e autorit mediokër të tekstit origjinal. Në analizë të fundit, ne gjykohemi nga pasuria gjuhësore që i përcjellim lexuesit të gjuhës B.



7. DYKUPTIMËSI TORTURUESE. Vargu i fundit i Rhig-Vedas indase do të mund të përkthehej:

O besim, bëna të besojmë!

Kjo shprehje e dykuptimtë është po kaq torturuese me shprehjen greke: Kush e pa Zotin dhe nuk u frikësua! Mundohuni të përktheni këto dy shprehje në një gjuhë të huaj, pa shtuar ose pakësuar farësendi nga përmbajtja e tyre. Natyrisht, pas një përpjekje të lodhshme do të zhgënjeheni: Përfytyroni shprehjen amë (formën origjinale të saj) e cila tani ka formën e një shprehjeje pa asnjë ngarkesë emocionale, një thirrje pa vlerë. Sa për të dytën, përfytyroni dëshirën e madhe të shkrimtarit. Por a mundet një njëri vdekatar të shikojë Zotin? Takimi i njeriut vdekatar me Zotin e Pavdekshëm është dëshira e paplotësuar e të parit dhe predikimi i përjetshëm i të dytit. Kjo shprehje mund të ketë kuptimin agonisë së mundimshme (fatale, vërtet, se ndodh vetëm pas vdekjes dhe nënkupton takimin e shpirtrave) gjetjen, lutjen për t’iu shmangur takimit, shprehje utopie, dëshire të vërtetë për diçka që nuk është aspak e mundur etj. Mundet, madje, të mos shprehë asgjë prej tyre.



8. NDËRGJEGJËSIMI I FAJIT TË PAPËRCAKTUAR. Ne përkthyesit jemi plotësisht të ndërgjegjësuar për fajin tonë, një faj i papërcaktuar, por estetikisht i këndshëm. Dhe meqenëse është faj, është dhe mëkat. Dhe mëkati, siç dihet, është një tundim i madh. Dhe në përngjashmëri me tradhtinë bashkëshortore, përkthimi është gjithashtu i pashmangshëm. A nuk është përkthimi ai akt që ndihmoi për t’u bërë realitet ajo që sot quhet “global culture”? Përkthyesit shqiptarë gjetën një faktor të qenësishëm lehtësues përballë gjyqit filologjik. E quajtën përkthimin shqipërim të tekstit të huaj. Dhe kanë plotësisht të drejtë po të kujtojmë se gjatë përkthimit shqipërojmë, anglizojmë, greqizojmë e me radhë tekstet e huaja. Dhe ky akt estetik emërzimi na jep mundësinë të ligjërojmë arbitraritetin tonë duke vërtetuar për të shumtën herë, edhe nga pikëpamja e përkthimit, se lindja e gjuhës –dhe njëkohësisht e përkthimit- i dedikohet faktit se jemi të lirë. Të lirë për t’u shprehur si të dëshirojmë. Duke kërkuar me agoni reflektimet e sinonimeve tona.



9. W. SHAKESPEARE – POET KOMBËTAR I GJERMANISË. Siç dihet, veprën letrare të W. Shakespeare e përktheu në gjermanisht A. W. Schlegel (1767-1845). Historiografia gjermane vlerëson përthimet e tij kështu: Me përkthimet e A.W. Schlegel W. Shakespeare shndërrohet në poet kombëtar të Gjermanisë. Vlerësimi ynë: Më e mira për kulturën gjermane, më e keqja për veprën letrare të W. Shakespeare!



10. DHE TANI LE TË provojmë një përkufizim përfundimtar të përkthimit. Përkthimi është një teknikë e fjalës gjatë së cilës përpiqemi të mbartim, siç do të vepronte vet shkrimtari i gjuhës A në gjuhën B, tekstin fillestar duke i lejuar vetës ato shtesë-pakësimet që do ta bënin tekstin po kaq të lexueshëm (dhe estetikisht të këndshëm) në gjuhën B siç është edhe në gjuhën A. Ky përkufizim të jep të drejtë të jesh i detyruar të respektosh lirinë tënde.





Pogradec, 13 shtator 2002



Fjalë kyçe: gjuhë-amë, gjuhë-objektiv, përkthim i shtuar (extensive translation), përkthim i pakësuar (intensive translation), përkthim i plotpërputhur(fitted translation), simetri kuptimore, mjedis gjuhësor kuptimor, reflektim sinonimik, ndjesi gjuhësore.



Direct link Reply with quote
 

Monika Coulson  Identity Verified
Local time: 22:31
Member (2001)
English to Albanian
+ ...
Faleminderit për këtë kumtesë... Mar 24, 2003

dhe analizë që i bëni procesit të përkthimit. Mjaft interesante. A mund të më thoni për cilin sesion shkencor bëhet fjala? Edhe një herë faleminderit shumë.

Monika


Direct link Reply with quote
 


There is no moderator assigned specifically to this forum.
To report site rules violations or get help, please contact site staff »


Translation as synonimic act .....

Advanced search






memoQ translator pro
Kilgray's memoQ is the world's fastest developing integrated localization & translation environment rendering you more productive and efficient.

With our advanced file filters, unlimited language and advanced file support, memoQ translator pro has been designed for translators and reviewers who work on their own, with other translators or in team-based translation projects.

More info »
LSP.expert
You’re a freelance translator? LSP.expert helps you manage your daily translation jobs. It’s easy, fast and secure.

How about you start tracking translation jobs and sending invoices in minutes? You can also manage your clients and generate reports about your business activities. So you always keep a clear view on your planning, AND you get a free 30 day trial period!

More info »



Forums
  • All of ProZ.com
  • Term search
  • Jobs
  • Forums
  • Multiple search