Kohërat e lulëzimit janë rikthyer në Silicon Valley. Parqet me zyra përgjatë Autostradës 101 janë stolisur edhe një herë me shenjat dalluese të bizneseve të reja premtuese. Qiratë janë në rritje, njësoj si dhe kërkesa për shtëpi pushimi ekstravagante në qytetet turistike si Liqeni Tahoe, shenjë kjo e vënies së pasurive. Zona e Gjirit ishte vendlindja e industrisë së gjysmë-përçuesit dhe e kompanive të kompjuterave e internetit që u zhvilluan pas çeljes së saj. Ekspertët e saj mundësuan shumë prej mrekullive që e bëjnë sot botën të ndjehet futuriste, që nga telefonët me ekran me prekje, në kërkimin në çast të bibliotekave madhështore e deri në fuqinë për të pilotuar një dron mijëra milje larg. Rimëkëmbja e aktivitetit të saj të biznesit që prej vitit 2010 tregon se po bëhet progres.
Kështu pra, mund të çudisë fakti që disa njerëz në Silicon Valley mendojnë se vendi nuk ka më aktivitet dhe se shkalla e novacionit ka ardhur duke rënë për dekada të tëra. Peter Thiel, një themelues i Paypal, si edhe i pari investues i jashtëm në Facebook, shprehet se situata me novacionin në Amerikë po shkon keq e më keq. Inxhinierë nga të gjitha fushat ndajnë ndjesi të ngjashme zhgënjimi. Po ashtu, një grup i vogël por në rritje ekonomistësh mendojnë se ndikimi ekonomik i risive të sotme mund të zbehet krahasuar me ato të së kaluarës.
[ … ]
Përtej kufirit, po korrin sukses novacione të nxitura nga fuqia e lirë përpunuese. Kompjuterat po fillojnë të kuptojnë gjuhën e njeriut. Njerëzit po kontrollojnë video-lojërat përmes një lëvizjeje të vetme të trupit-një teknologji kjo që së shpejti mund të gjejë përdorim në pjesën më të madhe të botës së biznesit. Stampimi tri-përmasor bën të mundur prodhimin e një tërësie objektesh gjithnjë e më komplekse dhe shumë shpejt mund të zbatohet në indet njerëzore e materiale të tjera organike.
Një pesimist në drejtim të novacionit mund ta etiketojë këtë fakt si “premtim bosh”. Mirëpo ideja që rritja e udhëhequr nga tekonologjia në vend që të bëjë sa përpara mbrapa, ose duhet të vazhdojë e pandryshuar ose të bjerë në mënyrë të qëndrueshme, bie në kundërshtim me historinë. Chad Syverson i Universitetit të Chicago-s, thekson se rritja e prodhueshmërisë gjatë epokës së elektrifikimit ishte e paqëndrueshme. Kjo rritje ishte e ngadaltë gjatë një periudhe novacionesh të rëndësishme elektrike në fund të shekullit të 19 dhe në fillim të shekullit të 20; më pas u ngrit fuqishëm.